Polici i plagosur në Shqipëri po trajtohet në Spitalin e Tiranës, vizitohet nga Drejtori i Policisë

Polici nga Shqipëria, Enea Mekolli, është vrarë gjatë kryerjes së detyrës, sot, më 04.06.2026.

I plagosur rëndë ka mbetur efektivi tjetër, Edison Ardi, i cili po vijon të marrë trajtim mjekësor.

Raportohet se ata u sulmuan gjatë përpjekjeve për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë, gjatë operacionit të zhvilluar në Malin Boden, në zonën e Maliqit.

Pas kësaj, polici i plagosur Ardi njoftohet se është transportuar me helikopter drejt Tiranës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vizituar në Spitalin e Traumës në Tiranë efektivin e plagosur.

Sipas Policisë së Shtetit, drejtori Hita ka komunikuar me drejtuesit dhe stafin mjekësor të Spitalit të Traumës për të garantuar trajtimin dhe kujdesin maksimal për policin e plagosur.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat nga ambientet e Spitalit të Traumës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shprehu dhimbjen për humbjen e kolegut.

“Në një operacion policor në Malin Boden, në zonën e Maliqit, ne humbëm një koleg të mrekullueshëm, humbëm një baba, një familjar të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj në shërbim të qytetarëve. Një punonjës tjetër policie është plagosur rëndë dhe po merr ndihmën e plotë mjekësore”-  citohet të ketë thënë Hita.

Ai bëri të ditur gjithashtu se edhe personi në kërkim – ndaj të cilit po zhvillohej operacioni – ka mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe ndodhet i shtruar në Spitalin e Korçës.

Hita njoftoi se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes kanë nisur nga Prokuroria e Korçës dhe strukturat e Standardeve Profesionale të Policisë së Shtetit.

“Pas këtij momenti, do të largohem drejt Korçës dhe nga aty do të keni një njoftim më zyrtar dhe më të plotë për gjithë dinamikën e ngjarjes dhe çfarë ka ndodhur”- u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, dënoi ashpër vrasjen e policit shqiptar, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit”- u shpreh Lamallari.

Ministri theksoi se autori i krimit do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe se nuk do të ketë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.

Shqipëri: Vritet një polic dhe plagoset një tjetër gjatë një aksioni