Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Shqipëri: Vritet një polic dhe plagoset një tjetër gjatë një aksioni 

Efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ka humbur jetën pasi u qëllua gjatë kryerjes së detyrës në Maliq të Shqipërisë. 

Ndërsa, i palgosur ka mbetur dhe efektivi Edison Adri, i cili po merr trajtim mjekësor.

Kështu është konfirmuar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Besfort Lamallari, të enjten më 04.06.2026. 

Siç raporotjnë mediat në Shqipëri, rasti ka ndodhur gjatë një aksioni për kapjen e Violand Braçellari

Ngjarja raportohet se ndodhi  mëngjesin e sotëm, ku Policia i ka kërkuar të dorëzohet Violand Braçellari, i cili ishte ishte fshehur në një stan, në zonën e Lozhanit.

Braçellari thuhet se ishte person me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim, e ndërsa thirrjeve të policisë ai nuk iu bind, raporton Top Channel

Në anën tjetër, Ministri i Brendshëm, Lamallari, dënoi ashpër vrasjen e policit shqiptar, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit”- u shpreh Lamallari.

Ministri theksoi se autori i krimit do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe se nuk do të ketë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.

Ai u shprehu ngushëllimet familjarëve, kolegëve dhe të afërmve të efektivit të ndjerë, duke vlerësuar sakrificën e tij në krye të detyrës.

Lamallari i uroi gjithashtu shërim të shpejtë efektivit të plagosur Edison Adri.