Shërbimi Korrektues i Kosovës në mesin e pesë iniciativave më të mira në Europë
Shërbimi Korrektues i Kosovës është renditur në mesin e pesë iniciativave më të mira në Europë në kuadër të çmimit EuroPris Prison Award, me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.
Vlerësimi u bë gjatë Mbledhjes së 15-të të Përgjithshme Vjetore të EuroPris, të mbajtur në Maltë, ku projekti i realizuar nga Qendra Korrektuese për Gra në Lipjan në bashkëpunim me OJQ-në MONUMENTA u përzgjodh ndër pesë finalistët më të mirë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, projekti u vlerësua për qasjen në fuqizimin e grave të dënuara përmes artit, zhvillimit të aftësive kreative dhe krijimit të mundësive për integrim në shoqëri.
Në mesin e vendeve të renditura në pesëshen më të mirë ishin Franca, Spanja, Portugalia, Kosova dhe Greqia.
“Kjo arritje përfaqëson rezultat të punës së përbashkët dhe dëshmi të avancimit të programeve rehabilituese dhe risocializuese në sistemin korrektues të Kosovës”- thuhet në njoftimin e lëshuar, të martën më 02.06.2026.