Komisioni për rezerva shtetërore, Qalaj akuzon deputetin e LVV-së për ndërhyrje në punët e MINT-it
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka njoftuar se kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të informohen se deri ku mund të intereferojnë deputetët sa i përket trajtimit të çështjes së rezervave shtetërore në Komisionin Hetimor Parlamentar.
Pavarësisht kërkesës, Qalaj ka treguar se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Prokuroria.
Në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me keqpërdorimet e mundshme me rezervat shtetërore, janë diskutuar të entjen më 22.01.2024, kërkesat për sjellje të dokumentacioneve nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që lidhen me këtë rast.
Deputeti Qalaj tutje ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi për ndërhyrje në punët e ministrisë së Industrisë.
Sipas Qalajt, Thaçi përmes një e-mail i ka dërguar sinjal ministrisë se nuk është e obliguar që të sjellë dokumentacionin e nevojshëm.
“Kemi pranuar një e-mail nga deputeti i LVV-së, Thaçi i cili e-mail i është dërguar të gjithë anëtarëve të komisionit dhe e që në CC i është dërguar edhe ministres Rozeta Hajdari dhe disa personave tjerë që kanë pozita, që konsideroj që është ndërhyrje në punët e ministrisë. Kishte me qenë në rregull që vërejtjet t’u dërgohen anëtarëve të komisionit, por jo ministrisë. Unë këtë e konsideroj si një sinjal që t’i thuhet ministrisë, mos i sjell dokumentet” – ka thënë Qalaj.
Qalaj gjatë mbledhjes së komisionit ka lexuar përmbajtjen e këtij e-mail.
“Këto kërkesa nuk janë të komisionit, por të deputetit Rashit Qalaj. Derisa të jeni të njoftuar me vendimin e Komisionit, nuk jeni të obliguar të përgjigjeni. Komisioni ende nuk ka marrë vendim për kërkesat për dokumentacion. Gjithashtu, zyrtari që ka dërguar këto kërkesa, nuk ka qenë i autorizuar nga komisioni”- thuhet në letrën që Qalaj pretendon se e ka shkruar deputeti i LVV-së, Halil Thaçi.
Ndërsa deputeti HaliL Thaçi ka thënë se për të është e papranueshme të procedohet kërkesa për dokumentacione për miratim në Komision.
“Për mua është e papranueshme procedimi i kërkesës për dokumentacion pa miratim në komision, është e papranueshme që ne të vazhdojmë me kërkesa për dokumentacion pa ardhjen e përgjigjes nga Prokuroria. Vetëm trego, a ka logjikë përgjigja e prokurorit kur i keni lypë dokumentacionet në ministri”- ka thënë ai.
Ky komision u krijua në përpjekjen e tetë, pasi shtatë tentativat e tjera patën dështuar për shkak të bojkotit të ligjvënësve të pozitës.
Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.