Vjetërsimi i rasteve ndaj “Artmotion” dhe “IPKO” nga gjykata

Ekskluzive: Gjykata i vjetërsoi rastet e Inspektoratit të Tregut të vitit 2021 kundër ‘Artmotion’ dhe ‘IPKO’

Inspektorati i Tregut, qysh në vitin 2021, kishte konstatuar se kontratat e dy operatorëve kabllorë, “IPKO” dhe “Artmotion”, ishin në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, sepse të njëjtat ia pamundësonin qytetarëve t’i shkëpusnin ato pa dëme financiare.

Për të dy operatorët kabllorë, Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte dërguar kërkesa për të iniciuar procedura të kundërvajtjes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mirëpo rasti nuk është gjykuar asnjëherë. Rastet e iniciuara kundër operatorëve “IPKO” dhe “Artmotion” janë vjetërsuar.

Derisa rasti nuk ka marrë epilog nga Gjykata Themelore e Prishtinës, operatorët kabllorë kanë vazhdu me i apliku kontratat që klientëve ia pamundësojnë shkëputjen e njëanshme pa dëme financiare. Pas më shumë se 27 muajve, 340 qytetarë janë ankuar në KPM në fillim të vitit 2024 për ndryshimin e listës së kanaleve të operatorëve kabllorë dhe pamundësisë për shkëputje të kontratave.

Kërkesa e Inspektoratit të Tregut për fillim të procedurës për kundërvajtje ndaj kompanisë “IPKO” është dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 23.09.2021. Kurse kërkesa për fillim të procedurës ndaj kompanisë “Artmotion” ishte dorëzuar më 06.10.2021 dhe e njëjta ishte parashkruar 768 ditë pasi e njëjta u regjistrua si e pranuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Por, këto lëndë përfunduan të parashkruara me vendim të gjyqtares Elheme Jashari. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Gjykata Themelore e Prishtinës, duke numëruar arsyet e vjetërsimit.

“Deri te parashkrimi relativ dhe absolut ka ardhë, për shkak të numrit shumë të madh të lëndëve në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Kundërvajtje, lëvizjeve të gjyqtarëve brenda departamenteve si dhe numrit të vogël të gjyqtarëve në Divizionin e Kundërvajtjes” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ndërsa nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë thënë për KALLXO.com se parashkrimi i lëndëve ka ndodhur për shkak se për dy vjet nuk është ndërmarrë asnjë veprim në trajtim të këtyre lëndëve. 

“Lëndët janë të proceduara në gjykatë në vitin 2021 ndaj dy operatorëve ekonomikë. Vlen të theksohet se në këto dy raste, por edhe ndaj dy operatorëve tjerë nga Gjykata Themelore është bërë parashkrim absolut i lëndëve, meqë përgjatë dy viteve ata nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në trajtimin e tyre” – thuhet në përgjigjen e MINT për KALLXO.com më 14.02.2023. 

Lidhur me shkeljet e evidentuara nga inspektorët e tregut dhe dërgimin e lëndëve në gjykatë, KALLXO.com ka dërguar pyetje te dy operatorët ekonomikë, “IPKO“ dhe “Artmotion”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të operatorit “IPKO” dhe “Artmotion” më 13.02.2024. Në përgjigjen e “IPKO-s” të dërguar në të njëjtën ditë te KALLXO.com thuhet se “ju njoftojmë që kemi pranuar kërkesën tuaj dhe e kemi drejtuar në departamentin përkatës që të kontrollohet. Në momentin që kemi përgjigje do të informoheni në kohë”. Por, deri në publikimin e artikullit KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje nga kompania “IPKO”. KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje edhe nga “Artmotion” deri në publikimin e këtij artikulli.

KALLXO.com ka siguruar kërkesat të cilat janë dërguar nga MINT në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në të cilat shpjegohen me detaje pretendimet ndaj dy operatorëve, “IPKO” e “Artmotion”. 

768 ditë pa u trajtuar – parashkrimi i lëndës ndaj “Artmotion” 

Inspektorati i Tregut, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bazuar në inspektimin e realizuar më 14.09.2021, më 06.10.2021 kishte dërguar kërkesë në Gjykatën e Prishtinës për fillim të procedurës së kundërvajtjes ndaj operatorit “Artmotion”. Sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, kjo lëndë u regjistrua në gjykatë, më 08.10.2021, dy ditë pasi kërkesa ishte deponuar nga inspektorët.

Një vit më vonë, në tetor të vitit 2022, lënda ndaj “Artmotion” kishte arritur parashkrim relativ, pra gjykata nuk kishte ndërmarrë veprime në lidhje me rastin që nga deponimi i kërkesës. Ndërsa në nëntor të vitit 2023 apo 768 ditë pas regjistrimit të kërkesës, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendim për parashkrim absolut.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lënda në fjalë është regjistruar në gjykatë më datë 08.10.2021. Më datë 14.10.2022 lënda ka arritur parashkrimin relativ, ndërsa më datë 15.11.2023 është marrë aktvendim mbi parashkrimin absolut” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës për KALLXO.com.

Në kërkesën e dërguar në gjykatë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, janë renditur pretendimet e inspektorëve të tregut ndaj “Artmotion”. Nga inspektimi i realizuar nga inspektorët e tregut para më shumë se dy viteve, ata erdhën në përfundim që “Art Motion” ka vepruar në kundërshtim me tri nene të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, nenin 71, 72 dhe 73.

Shkelja e parë e evidentuar është që kushtet e kontraktuara nuk janë negociuar në baza individuale me klientët duke vepruar në kundërshtim me paragrafin e parë të nenit 71 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Me këtë rast është vepruar në kundërshtim me kërkesat e besimit të mirë dhe ka shkaktuar pabarazi të konsiderueshme në të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata e palëve, në dëm të konsumatorit” – thuhet në arsyetimin e kërkesës së inspektorëve. 

Shkelja e dytë e pretenduar e evidentuar në këtë kërkesë nga inspektorët është se “Artmotion” ka vendosur kushte të padrejta në kontratë në kundërshtim me paragrafin 1.3 të nenit 72 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Arritjes së një marrëveshje që është detyruese për konsumatorin, ndërsa ofrimi i shërbimeve nga shitësi ose ofruesi i nënshtrohet një kushti realizimi i të cilit varet vetëm nga vullneti i tij” – citohet paragrafi 1.3 i nenit 72 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Në kërkesë thuhet se “Artmotion” ka lidhur kontrata standarde, në të cilat ka vendosur kushte të padrejta duke obliguar përdoruesin që t’i paguajë furnizuesit për të gjitha muajt e kontraktuar në rast se ai dëshiron ta shkëpus kontratën duke mos e paraparë rrethanën kur përmbajtja/cilësia e shërbimeve do të ndryshonte esencialisht.

Po ashtu, inspektorët e kanë konsideruar të padrejtë pjesën e kontratës në të cilën thuhet se “në rast të ndërprerjes së kësaj kontrate nga përdoruesi para skadimit të afatit të kontraktuar, atëherë përdoruesi është i detyruar ta kompensojë “Artmotion” në vlerën e muajve të mbetur të përcaktuar në kontratën kryesore”.

“Ky është kusht i padrejtë në kontratë pasi nuk mund të detyrohet klienti/konsumatori të paguajë detyrimisht obligimet për muajt e mbetur në kontratë nëse ka ndryshuar esencialisht përmbajtja e shërbimit që ai merr” – thuhet në kërkesë.

Çështja e kontratave që kablloret nënshkruajnë me qytetarët është kthyer në temë të diskutimit edhe në vitin 2024, kur kishte ndryshim të listave të kanaleve tek disa kabllorë, pas shkëputjes së kontratës me “DigitAlb”. 340 qytetarë ishin ankuar në KPM se nga fillimi i muajit janar 2024 është ndalur transmetimi i kanaleve të “DigitAlb”, në të cilat përfshihen edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze. Sipas operatorëve, kjo kishte ndodhur për shkak se kishte përfunduar marrëveshja mes palëve.

Për shkak të shkeljeve të rregullave të KPM-së, operatorët “IPKO” dhe “Artmotion” ishin dy nga katër operatorët kabllorë që janë gjobitur më 19.01.2024 (minuta 21:59) nga Komisioni i Pavarur për Media. KPM e kishte gjobitur me 64 mijë euro operatorin “Artmotion”, me 7 mijë euro operatorin “IPKO”, me 26 mijë euro operatorin kabllor “Kujtesa” dhe me 3 mijë euro operatorin “Telkos”. 

05.02.2024, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve që i ka pranuar Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.

Rasti i “IPKO-s” – lënda iu nda gjyqtares një vjet pas pranimit të lëndës në gjykatë 

Pas pranimit të 180 ankesave me shkrim nga konsumatorët e kompanisë “IPKO” gjatë muajit shtator të vitit 2021, inspektorët e tregut kishin realizuar një inspektim në këtë kompani. Ankesat ishin parashtruar në kohën kur IPKO kishte ndërprerë transmetimin e disa ligave sportive, të cilat kishte promovuar në ofertë dhe mungesën e tri televizioneve nacionale, Klan Kosova, TV Dukagjini dhe Kanal 10.

Pas inspektimit të realizuar më 13.09.2021, më 23.09.2021, inspektorët e tregut kishin hartuar një kërkesë për fillim të procedurës për kundërvajtje ndaj kompanisë “IPKO” dhe e kishin dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë treguar për KALLXO.com se rasti është regjistruar në gjykatë një ditë më vonë, më 24.09.2021. Në përgjigjen e gjykatës thuhet se lënda është pranuar nga gjyqtarja Elheme Jashari, 385 ditë, apo më shumë se një vit më vonë nga data e regjistrimit të kësaj kërkese në gjykatë, saktësisht më 14.10.2022. Kur ishte pranuar kjo lëndë nga gjyqtarja, tashmë rasti kishte arritur parashkrim relativ, që do të thotë nuk ishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta trajtuar këtë rast që nga momenti kur ishte pranuar rasti.

“Është vërejtur se lënda ka arritur parashkrimin relativ” – thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Edhe pas parashkrimit relativ, për një vit tjetër të plotë nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim dhe si pasojë e kësaj më 15.11.2023, rasti është parashkruar përfundimisht, pra që nuk ky moment më nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në lidhje me këtë rast.

Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, inspektorët pretendojnw se “IPKO” ka kryer dy veprime në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Në arsyetimin e inspektorëve në kërkesë pretendohet  se “IPKO” ka bërë reklamë mashtruese për klientët/konsumatorët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofron ose ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë.

“Ka bërë reklamë mashtruese lidhur me transmetimin ekskluziv të kanaleve (ligave) sportive, me reklamën se ‘IPKO’ së bashku me ‘DigitAlb’ kanë të drejtën ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të kampionateve më prestigjioze europiane në Kosovë, kurse Inspektorati i Tregut ka siguruar dëshmi që kontratën për transmetim ekskluziv e ka lidhur një operator tjetër që operon në Kosovë” – thuhet në kërkesën e inspektorëve.

Në kërkesë është potencuar se “IPKO” pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë njoftim paraprak ka ndërprerë transmetimin e kanaleve nacionale, TV Dukagjini, Klan Kosova dhe Kanal 10.

“Ky veprim konsiderohet si kusht i padrejtë në kontratë dhe specifikisht në nenin 72, paragrafi 1, nënparagrafi 1.11, ku thuhet ‘kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta janë ato kushte të cilat kanë qëllimin apo efektin e: mundësimit të shitësit ose furnizuesit të ndryshojë në mënyrë të njëanshme ndonjë nga karakteristikat e produktit ose shërbimit të ofruar, pa asnjë arsye të vlefshme” – theksohet në kërkesë.

Inspektorati i Tregut gjithashtu ka konsideruar që “IPKO” me rastin e lidhjes së kontratave me klientë ka vendosur kushte të padrejta në kontratë, për shkak se kushtet e kontraktuara nuk janë negociuar në baza individuale me klientët.

“Ka vendosur kushte të padrejta në kontratë duke e kushtëzuar klientin/konsumatorin që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti/konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur edhe pse i njëjti nuk ka mundësi të shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën” – thuhet në kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 06.10.2021.