Gjykata miratoi padinë e 'Klan Kosova' ndaj MINT-it

Gjykata Komerciale me aktgjykimin e datës 13.03.2024 e ka miratuar kërkesëpadinë e Klan Kosovës dhe e anuloi Vendimin e Ministrsë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me të cilin ky dikaster shtetëror ia kishte pezulluar certifikatën e biznesit këtij televizioni.

Sipas aktgjykimit të datës 13.03.2024,  i nxjerrë nga gjyqtari Arnis Dumani, vendimi për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të marrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, do të mbetet në fuqi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas raportimeve në media se në certifikatën e biznesit të “Klan Kosova” figuronin vendbanime në gjuhën serbe, në të cilën (certifikatë) qyteteve të Kosovës u referoheshin si pjesë e Serbisë, pati reagim nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në një komunikatë për media të datës 14.06.2023, MINT kishte njoftuar se kishte iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë, ndaj “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu kishte marrë vendim që të pezullonte certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër, thuhej më tutje në njoftim.

Në këtë vendim thuhej se “në certifikatën e biznesit tek ndërrimi i pronarëve, figuron vendbanimi Pejë – Serbia, Gjakovë – Serbia, dhe meqë nuk lejohet regjistrimi i një biznesi vendbanimi i të cilit është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës, pasi që sipas arsyetimit në bazë të këtij dokumentacioni qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë, prandaj në bazë të nenit 85 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ka vendosur që të pezullojë certifikatën e biznesit të “Klan Kosova” deri në një vendim tjetër”.

Sias komunikatës lidhur me vendimin e ARBK-së, ishte ftuar në takim dhe ishte njoftuar Klan Kosova përkatësisht pronari i kësaj Shoqërie Tregtare.

Po një gjë e tillë ishte mohua nga televizioni.

“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë” – thuhej në reagimin e Klan Kosovës.

Në reagimin e televizionit veprimi i Ministrisë u cilësua si i padrejtë, arbitrar dhe me premisa autokratike, i pabazuar në ligj, dhe tentim i shkeljes së lirisë së medias.

Reagim pati edhe nga Bashkimi Evropian të cilët u shprehën të shqetësuar lidhur me pezullimin e kësaj lincence, përmes një postimi në Twitter.

Më tutje në postim BE-ja njoftoi se ishte duke monitoruar nga afër zhvillimet duke potencuar se vëmendja është tek ndikimi i mundshëm i këtij veprimi në lirinë e medias.

Klan Kosova e kishte ankimuar vendimin për pezullim të ankesës më 21.06.2023.

MINT më datë 28.07.2024, apo 1 muaj e 7 ditë më pas, njoftoi se e kishte refuzuar të njëjtën.

Sipas njoftimit thuhej se këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë”- thuhej në komunikatë.

Ministria gjithashtu kishte thënë se fakti që “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh kishte nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

“Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë”- thuhej më tutje në njoftimin e Ministrisë.

Ministria në këtë njoftim gjithashtu njoftoi se vendimi i Komisionit në fjalë e përmbyll rastin brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Klan Kosova iu drejtua me padi Gjykatës Komerciale, Departamentit për Çështje Administrative më datë 31.07.2023.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com evidentohet se padia kërkon anulimin e vendimit të datës 28.07.2023, nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe vendimin  e datës 14.06.2023, nxjerrë nga Drejtoria e përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

Për më tepër pjesë e padisë përveç këtyre dy kërkesave kryesore janë edhe kërkesat për shtyerje të ekzekutimit të vendimeve për pezullim.

Raportimet e KALLXO.com – LINK 

(Ky artikull është edituar më 18.03.2024, në ora 23:18, me ç’rast është paragrafi:

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com evidentohet se padia nuk ankimon vetëm vendimin për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës por edhe vendimin përmes të cilit MINT kishte ndërmarrë hapa të njëjtë ndaj operatorit kabllor ‘Art Motion’.

është zëvendësuar me paragrafin:

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com evidentohet se padia kërkon anulimin e vendimit të datës 28.07.2023, nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe vendimin  e datës 14.06.2023, nxjerrë nga Drejtoria e përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.