Futboll, Ilustrimi: Pixabay

Ankesat e qytetarëve ndaj operatorëve kabllorë, reagon MINT

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është duke i përcjellur me shqetësim ankesat e qytetarëve se disa nga operatorët kabllorë në Kosovë nuk po e transmetojnë Premier Ligën e futbollit anglez nga data 1 janar, thuhet në një reagim të MINT.

Qytetarët kanë raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

Në reagimin e tyre nga MINT kanë thënë se, do të merren veprime sipas ligjeve në fuqi për këtë çështje.

‘’MINT/Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit vetëm gjatë ditëve të fundit ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse. MINT siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi’’ – thuhet në reagimin e MINT.

Përveç kësaj, MINT ka inkurajuar qytetarët të vazhdojnë t’i paraqesin ankesat e tyre duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: [email protected].

Një numër ankesash për këtë çështje janë duke u trajtuar edhe nga Komisioni i Pavarur për Media, të cilët janë shprehur se “KPM nuk është njoftuar paraprakisht për ndërprerjen ose jo te marrëveshjes ndërmjet palëve, mirëpo kemi qenë të njoftuar përmes emailit rreth komunikimit në mes të Digitalb dhe Artmotion në lidhje me skadimin  e kontratës në mes tyre”.

Në muajin nëntor të vitit 2023, KPM në një përgjigje për KALLXO.com pati treguar se një ofrues i shërbimeve kabllore sipas kontratës së deponuar në KPM, kishte marrëveshje deri më 31 dhjetor 2023 për transmetimin e Premier Ligës.