Greva e minatorëve - Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Menaxhmenti i "Trepçës" i quan "shpifje" deklarimet e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, kërkon të ndërpritet greva

Bordi mbikëqyrës i “Trepçës” i ka quajtur “shpifje” deklarimet e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, i cili ka deklaruar se menaxhmenti është shprehur keq për grevën dhe gjendjen e minatorëve.

Përmes një komunikate, bordi ka shprehur shqetësimin përballë situatës së krijuar në minierën e Stantërgut, derisa thekson se shpifjet do i adresojnë në organet kompetente.

“Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A. përgënjeshtron deklaratën e Kryetarit të Sindikatës Ibrahim Jonuzi, se ka pas komunikim me menaxhmentin dhe se menaxhmeni është shprehur keq për grevën dhe gjendjen e minatorëve në minierën e Stan Tërgut. Fjalët që ka thënë z. Januzi kinse menaxhmenti është dashakeq për minatorët, janë shpifje të ulta qe nuk përkojnë me sindikalistet e minierës”- thuhet në njoftim.

“Menaxhmenti dhe Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A. janë shumë të shqetësuar për situatën e krijuar në minierën e Stantergut, për sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve andaj është duke punuar gjatë gjithë kohës për tejkalimin sa me të lehtë të kësaj situate”- thuhet tutje nga menaxhmenti.

Minatorët në minierën e Stantërgut kanë hyrë në grevë duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave.

“Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 6–10 [në fillim të çdo muaji]; Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës” – thuhet në kërkesën e minatorëve.

Ndërkohë, mbrëmë, njëri nga minatorët u dërgua për trajtim mjekësor pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore gjatë grevës.

Menaxhmenti i “Trepçës” në anën tjetër grevën e konsideron joligjore.

“Ne konsiderojmë se kjo grevë duhet të ndërpritet menjëherë për shkak se një grevë e tillë nuk është ligjore, sepse nuk është paralajmëruar sipas ligjit LIGJI Nr. 03/L-200 për greva, dhe konsiderojmë se nuk ka arsye reale për të rrezikuar me shumeë sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve”- thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se përkundër vështirësive operative dhe rënies së çmimit të metaleve në bursë, minatorët dhe punëtorët e ndërmarrjes “Trepça”, të mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, rregullisht për çdo muaj i kanë marrë pagat e tyre të plota.

Sipas menaxhmentit, minatorëve u janë rritur pagat mbi nivelin e pagave të minatorëve të minierave në rajon (Shqipëri, Maqedonia e Veriut).

“Mund të informojmë opinionin e gjerë që për herë të parë pas dy dekadave, minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A. u janë rritur pagat mbi nivelin e pagave të minatorëve të minierave në rajon (Shqipëri, Maqedonia e Veriut). Poashtu është ngritë edhe shtesa për shujtën ditore për çdo minator në ndërmarrjen Trepça Sh.A. Ketë menaxhmenti e ka bërë vetëm me qëllim që të vlerësojë dhe motivoj minatorët e ndërmarrjes”-thuhet tutje në njoftim.

Menaxhmenti u ka bërë thirrje punëtorëve që t’u kthehen detyrave dhe të mos bien pre e grupeve të interesit.

“Me mirëkuptim lusim të gjithë punëtorët që ti kthehen detyrave dhe angazhimeve te punës dhe mos të ndikohen nga grupet e interesit dashakeqëse të cilat nuk kanë interes zhvillimin e ndërmarrjes Trepça Sh.A. Gjithashtu, ju sigurojmë që gjithë shpifjet do të adresojmë te organet kompetente konform rregullave dhe ligjit ne fuqi”- thuhet në njoftim.

Rreth 100 minatorë të Trepçës hyjnë në grevë, parashtrojnë tri kërkesa