35 vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepcës të vitit 1989, Foto: Florinda Kelmendi, KALLXO.com 20.02.2024

35-vjetori i grevës së urisë të minatorëve, Kurti: Minatorët i vunë themelet e Republikës

Në Mitrovicë sot më 20.02.2024 është shënuar përvjetori i 35-të i fillimit të grevës së urisë të minatorëve të “Trepçës”.

Për 8 ditë rresht, nga 20 deri më 28.02.1989, mbi 1,000 minatorë ishin futur në grevë urie për të kundërshtuar politikat diskriminuese dhe shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb, i drejtuar nga Sllobodan Millosheviq.

Një muaj më vonë, në mars 1989, regjimi i Serbisë ia kishte hequr Kosovës autonominë që e gëzonte në kuadër të federatës jugosllave.

Në mbledhjen e mbajtur sot, më 20.02.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar jehonën e grevës dhe guximin e minatorëve, për të cilët tha se i vunë themelet e Republikës.

Kryeministri premtoi përkrahjen për “Trepçën” dhe për minatorët.

“’Trepça’ ka qeverisjen e re. Janë dhënë 25 milionë euro për subvencione dhe po vazhdojmë ta përkrahim ende. Suksesi ynë është i mundshëm për neve si qeveri dhe juve si minatorë”- ka thënë Kurti.

E Getoar Mjeku, zëvendësministër i Ekonomisë, ka thënë se në ndërmarrje do të ketë investime.

“Ne jemi të përkushtuar ta ruajmë ‘Trepçën’, sepse është e jona. Ndërmarrja po i kthehet minatorit dhe po punon në shtimin e numrit të tyre. Ndërmarrja po u hap rrugën e investimeve të mëdha” – ka thënë Mjeku.

Bashkim Kurti, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça” tregoi për rëndësinë që kanë minatorët.

“Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se ‘Trepça’ po mbetet e pathyer. Minatori mbetet pasqyra dinjitoze, dje, sot dhe nesër” – tha ai.

Edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, kujtoi sakrificën e minatorëve.

“Sot kujtojmë 35-vjetorin e ngjalljes për demokraci, liri dhe pavarësi. Ishin minatorët ata të cilët e motivuan spektrin politik”- ka thënë Tahiri.

Kryetari i Sindikatës, Ibrahim Januzi, i bëri thirrje Qeverisë për ofrimin e kushteve më të mira për minatorët.

“Dëshiroj të ndaj me ju disa thirrje. Le të rrisim ndërgjegjësimin për minatorët dhe familjet e tyre. Le të punojmë për një të ardhme më të mirë për minatorët. Është kohë për të reflektuar dhe vlerësuar ata që kontribuan. I bëj thirrje Qeverisë për përmirësimin e kushteve si dhe për investime kapitale” – shtoi ai.