Vrasja e vëllait me thikë kuzhine, Prokuroria ngre aktakuzë për vrasje të rëndë

Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë ndaj E.J., i cili akuzohet se e ka vrarë vëllanë e tij me thikë kuzhine me gjatësi tehu 12 cm, duke e goditur 5 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Rasti dyshohet se ka ndodhur për shkak të një fjalosjeje të çastit më 05.11.2023 në banesën e tij në Mitrovicën e Veriut.

“Prokuroria njofton opinionin, se me datë 05 nëntor 2023 në banesën e tij në Mitrovicë – veri, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta viktimën – vëllaun e tij E.J., në atë mënyrë që pas një fjalosje të çastit, e sulmon viktimën me thikë të kuzhinës, me gjatësi tehu 12 cm, dhe e godet pesë (5) herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë prerëse e shpuese, dhe si pasojë e lëndimeve të marra viktima vdes në spitalin e Mitrovicës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përveç akuzës për vrasje të rëndë, ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria ka njoftuar se i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.