Lirohet nga akuza zyrtari doganor në Ferizaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim lirues ndaj zyrtarit doganor, Afrim Matoshi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata e Ferizajt  gjithashtu ka sjellë aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarve për shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, Muhamet Beqiri dhe Fatmir Xhemshiti.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri, me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari Afrim Matoshi e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Ndërsa, për të akuzuarit Beqiri dhe Xhemshiti, gjykata ka sjellë aktgjykim refuzues pasi për veprën me të cilën ngarkoheshin ka arritur parashkrimi absolut.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast ishin edhe Bekim Ramusholli dhe Mustafë Smajli, ndaj të cilëve, prokurori Rasim Maloku ishte tërhequr nga akuza në seancën e mbajtur më 9 gusht, pasi siç thoshte Prokurori Maloku, disa fakte nuk kanë qenë kontestuese.

Ramusholli akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa Smajli akuzohej shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Sipas Prokurorisë në muajin prill 2015, në terminalin doganor në Ferizaj, Afrim Matoshi në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” ka tejkaluar kompetencat e tij, e ka lejuar një automjet furgon të llojit “Fiat”, të cilin ishte duke e drejtuar Mustafë Smajli, që ishte e ngarkuar me mall tekstil dhe që kishte dalë pa fletëdalje nga terminali doganor “Fitorja”, ku pasi është kontrolluar malli në maunë dhe në kombi, për zhdoganim, është konstatuar se në bazë të faturave nuk përputhet vlera e mallit dhe është gjetur malli i padeklaruar dhe mall i deklaruar jo saktë në vlerë totale 240,278.91 euro.

Andaj, Afrim Matoshi sipas Prokurorisë akuzohej se e ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Sipas Prokurorisë në datën dhe vendin e njëjtë, Bekim Ramusholli dhe Muhamed Beqiri me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe kompaninë “DARD Sh.P.K.” me dashje i ka ndihmuar personit zyrtar Afrim Matoshit të kryejë veprën penale.

Sipas aktakuzës pretentohet se Muhamed Beqiri në cilësinë e shpediterit nuk i ka plotësuar të dhënat e duhura për zhdoganim të mallrave për kompaninë “DARD Sh.P.K”.

Ndërsa Bekim Ramusholli në cilësinë e  punëtorit të rampës në terminalin doganor “Fitorja” ka lejuar që nga terminali doganor pa fletëdalje të dalë furgoni i llojit “Fiat”, të cilin e drejtonte Mustaf Smajli.

Kështu, sipas Prokurorisë Muhamed Beqiri e Bekim Ramusholli kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës në ndihmë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë me qëllim që personit tjetër t’i mundësojnë shmangie nga pagesat e tarifave tatimore doganore që paguhen në rastin e importit apo eksportit të mallrave, nuk ka paraqitur dokument legal gjegjësisht kanë paraqitur rrejshëm, duke mos u nënshtruar pagesave doganore.

Gjithashtu pjesa tjetër e mallit që iu nënshtrua kontrollit doganor, ka shkaktuar shmangie nga detyrimet doganore me çka ky mall me urdhër të Gjykatës është konfiskuar, e Mustafë Smajli në cilësinë e vozitësit ka ikur nga mbikëqyrja doganore pa paguar taksat për mallin me të cilën kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 66,335.46 euro.

E që sipas Prokurorisë, Fatmir Xhemshiti dhe Mustafë Smajli kanë kryer veprën penale shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Propozohen prova të reja, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës