Seanca ndaj Afrim Matoshit etj, ne Gjykaten e Ferizajit

Propozohen prova të reja, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës

Afrim Matoshi, Bekim Ramusholli, Muhamed Beqiri, të cilët nga Prokuroria akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Fatmir Xhemshiti e Mustaf Smajli, të cilët po akuzohen për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore, kanë dalur para gjykatësit por që seanca ndaj tyre u ndërpre.

Shkak për ndërprejen e seancës së sotme ishte propozimi i prokurorit Rasim Maloku, sigurimi i disa provave të reja, propozim ky i cili u aprovua nga trupi gjykues.

Sipas Prokurorisë në muajin prill 2015, në terminalin doganor në Ferizaj, Afrim Matoshi në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” ka tejkaluar kompetencat e tij, e ka lejuar një automjet furgon të llojit “Fiat”, të cilin ishte duke e drejtuar Mustaf Smajli, që ishte e ngarkuar me mall tekstil dhe që kishte dalë pa fletëdalje nga terminali doganor “Fitorja”, ku pasi është kontrolluar malli në maunë dhe në kombi, për zhdoganim, është konstatuar se në bazë të faturave nuk përputhet vlera e mallit dhe është gjetur malli i padeklaruar dhe mall i deklaruar jo saktë në vlerë totale 240,278.91 euro.

Andaj, Afrim Matoshi sipas Prokurorisë dyshohet se e ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Tutje sipas Prokurorisë në datën dhe vendin e njëjtë, Bekim Ramusholli dhe Muhamed Beqiri me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” me dashje i ka ndihmuar personit zyrtar Afrim Matoshit të kryejë veprën penale.

Sipas aktakuzës pretentohet se Muhamed Beqiri në cilësinë e shpediterit nuk i ka plotësuar të dhënat e duhura për zhdoganim të mallrave për kompaninë “DARD Sh.p.k.

Ndërsa Bekim Ramusholli në cilësinë e  punëtorit të rampës në terminalin doganor “Fitorja” ka lejuar që nga terminali doganor pa fletëdalje të dalë furgoni i llojit “Fiat”, të cilin e drejtonte Mustaf Smajli.

Kështu, sipas Prokurorisë Muhamed Beqiri e Bekim Ramusholli kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës në ndihmë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë me qëllim që personit tjetër t’i mundësojnë shmangie nga pagesat e tarifave tatimore doganore që paguhen në rastin e importit apo eksportit të mallrave, nuk ka paraqitur dokument legal gjegjësisht kanë paraqitur rrejshëm, duke mos u nënshtruar pagesave doganore.

Gjithashtu pjesa tjetër e mallit që iu nënshtrua kontrollit doganor ka shkaktuar shmangie nga detyrimet doganore me çka ky mall me urdhër të Gjykatës është konfiskuar, e Mustaf Smajli në cilësinë e vozitësit ka ikur nga mbikëqyrja doganore pa paguar taksat për mallin me të cilën kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 66,335.46 euro.

E që sipas Prokurorisë, Fatmir Xhemshiti dhe Mustaf Smajli kanë kryer veprën penale shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Seanca e sotme do të vazhdoj më 01 dhjetor.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK