Nisja e peticionit për shkarkimin e kryetarit në Zveçan, Foto: KALLXO.com
Lajm në zhvillim - Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të Zubin Potokut dhe Zveçanit - Pamje
13:03 – Pak qytetarë në Zubin Potok
Pak qytetarë të interesuar gjatë mesditës në Zubin Potok, për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.
Ekipi i KALLXO.com po qëndron në këtë komunë:
12:44 – Telat me gjemba e makineritë e rënda qëndrojnë ende para objektit komunal në Zveçan
Pak metra nga objekti i Komunës së Zveçanit para të cilit u zhvilluan tensionet e majit 2023, serbët lokalë po nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit, Ilir Peci.
Telat me gjemba e makineritë e rënda qëndrojnë ende para objektit komunal.
10:50 – Peticioni, KFOR-i në Zveçan monitoron situatën
Pjesëtarë të KFOR-it janë duke qëndruar në afërsi të lokacionit ku është duke u nënshkruar peticioni për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.
Qytetarët e Zubin Potokut dhe të Zveçanit sot kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin për shkarkimin e kryetarëve të këtyre dy komunave.
Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com dy kryetarët.
10:44 – Peticioni në Zveçan
KALLXO.com po qëndron në Zveçan dhe sjell pamje nga vendi i ngjarjes. Në fletët e peticionet janë simbolet e shtetit të Kosovës.
10:06 – Flasin kryetarët aktualë
Ilir Peci, kryetar i Zveçanit ka njoftuar se organizimi për nënshkrim të peticioneve është duke u mbajtur në një tendë, afër komunës.
“Po, sot ka filluar. Është duke u mbajtë tek një tende këtu afër komunës. Nuk kemi ndonjë informatë më shumë për momentin” – tha Peci.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qytetarët e Zveçanit duhet të mbledhin hiç më pak se 1mijë e 411 nënshkrime.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. Ai njoftoi se edhe në këtë komunë ka filluar procesi i njëjtë.
Zeqiri tregoi se nga komuna nuk është lejuar të shfrytëzohet salla e sportit për mbajtjen e këtij procesi.
“Po, është para sallës së sportit në një hapësirë. Ka fillu me u mbajtë, gjendja është mirë në rregull. Jashtë sallës, nuk e kemi leju me shfrytëzu sallën, ka hapësirë të mjaftueshme jashta sallës” – tha Zeqiri.
Për të shkarkuar Zeqirin, KQZ ka njoftuar se duhen 1 mijë e 346 nënshkrime.
KALLXO.com raportoi ekzkluzivisht nga këto dy komuna të mërkurën.
Kjo procedurë në këto dy komuna filloi më 17 janar 2024.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.
Zgjedhja në krye të komunave e kandidatëve shqiptarë pasoi me tensione në veri.