Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për Kinematografinë

Me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Kinematografinë.

Kuvendi ka përfunduar në një seancë tjetër diskutimet për këtë projektligj.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se Projektligji do të fuqizojë filmin në Kosovë dhe hap rrugë për investime të huaja.

“Filmi shpallet sektori i veçantë i interesit publik, duke fuqizuar tutje industrinë. Niveli i mbështetjes publike për nivelin e filmave ngrihet 80%, ndërsa për filmbërësit deri në 100%. Krijohet skema e rabatit për tërheqje të investimeve të huaja në Kosovës, që parasheh rimbursimin e 30% të investimit për produksionet e huaja që prodhojnë filma në territorin e Kosovës”- deklaroi Çeku.

Në këtë projektligj nuk parashihet që drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës të ketë diplomë universiteti.

Sipas nenit 13 të Projektligjit drejtori duhet të ketë vetëm përvojë pune profesionale në fushën e kinematografisë ose kulturës dhe përvojë në pozita drejtuese.

Projektligji ka shtuar edhe audio-vizualen në kompetencat e QKK-së dhe MKRS-së që nënkupton financimin e filmit, filmit eksperimental, projektin filmik multimedial dhe transmedial, serialin filmik, video-lojërat dhe çdo vepër tjetër me pamje me apo pa zë, pavarësisht teknologjisë me të cilën është krijuar dhe mënyrës së shfaqjes.

Në Projektligj është zvogëluar gjoba për kundërvajtje nga distributorët, pronarët ose qiramarrësit që ndërrojnë qëllimin e veprimtarisë së kinemasë pa pëlqimin e QKK-së, dënimi përcaktohet të jetë prej 10,000 deri në 20,000 euro. Ndërsa në Ligjin aktual, gjoba arrin shifrën 20,000 deri në 120,000 euro.

Miratohet në parim Projektligji për kinematografi