Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Miratohet në parim Projektligji për kinematografi

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në lexim të parë Projektligjin për kinematografi.

Projektligji është propozuar nga Komisioni për arsim, shkencë, teknologji, inovacion, kulturë, rini dhe sport.

Komisioni paraprakisht e ka shqyrtuar në parim Projektligjin në mbledhjen e 24 janarit.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se Projektligji do të fuqizojë filmin në Kosovë dhe hap rrugë për investime të huaja.

“Filmi shpallet sektori i veçantë i interesit publik, duke fuqizuar tutje industrinë. Niveli i mbështetjes publike për nivelin e filmave ngrihet 80%, ndërsa për filmbërësit deri në 100%. Krijohet skema e rabatit për tërheqje të investimeve të huaja në Kosovës, që parasheh rimbursimin e 30% të investimit për produksionet e huaja që prodhojnë filma në territorin e Kosovës”- deklaroi Çeku.

Ai shtoi që do të nisë edhe rregullimi i kinemave publike dhe private, si dhe do të rritet mbrojtja ligjore për kinematë ekzistuese.

Po ashtu, kryetari i Komisionit, Ardian Gola, e përkrahu votimin e Projektligjit për kinematografi sepse, sipas tij, i ka plotësuar kushtet.

Ndërsa Eliza Hoxha, anëtare e Komisionit, tregoi se nuk pajtohet me Projektligjin në disa nene.

“Kriteret për zgjedhjen e drejtorit janë bazuar në aspektin minimal të kritereve. Kjo lë hapësirë pastaj që mos të kemi rekrutim të personave të duhur dhe kredibil për një qendër në nivelin kombëtar të kinematografisë së Kosovës”- pohoi Hoxha.

Sipas saj, kompetencat ekzekutive do t’i takojnë vetëm drejtorit ndërsa bordi do të ketë funksion këshillëdhënës. Ajo shtoi që “Kosova-Filmi” përmes Projektligjit është reduktuar për nga rëndësia.

“Bordi tani ka një funksion minor apo kozmetik këshillëdhënës që nuk mund të merret parasysh nga një drejtor të cilit i janë lënë të gjitha kompetencat ekzekutive për menaxhimin e mbi një milion e 500 mijë eurove aktualisht dhe mund të jetë fond edhe më i madh nesër. ‘Kosova-Filmi’ në vend se të mendohet si të ruhet dhe zhvillohet në kuptimin kontinual, për shkak të aspektit trashëgimor të filmbërjes në Kosovë është futur dhe minimizuar si njësi arkivuese brenda Qendrës Kinematografike të Kosovës”- tha ajo.

Në këtë Projektligj nuk parashihet që drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës të ketë diplomë universiteti.

Sipas nenit 13 të Projektligjit drejtori duhet të ketë vetëm përvojë pune profesionale në fushën e kinematografisë ose kulturës dhe përvojë në pozita drejtuese.

Projektligji ka shtuar edhe audio-vizualen në kompetencat e QKK-së dhe MKRS-së që nënkupton financimin e filmit, filmit eksperimental, projektin filmik multimedial dhe transmedial, serialin filmik, video-lojërat dhe çdo vepër tjetër me pamje me apo pa zë, pavarësisht teknologjisë me të cilën është krijuar dhe mënyrës së shfaqjes.

Në Projektligj është zvogëluar gjoba për kundërvajtje nga distributorët, pronarët ose qiramarrësit që ndërrojnë qëllimin e veprimtarisë së kinemasë pa pëlqimin e QKK-së, dënimi përcaktohet të jetë prej 10,000 deri në 20,000 euro. Ndërsa në Ligjin aktual, gjoba arrin shifrën 20,000 deri në 120,000 euro.

Sipas Projektligjit nuk do të ketë më Këshill Drejtues por Këshill Profesional, ndërsa është zgjatur mandati i anëtarëve nga tre në katër vjet, përderisa në Ligjin aktual mandati i anëtarëve të Këshillit është vetëm tre vjet me të drejtën që dy anëtarë të rizgjidhen edhe për një mandat.

Grupi punues për hartimin e Projektligjit të kinematografisë ka pasur këtë përbërje: Jehona Shyti, Lum Çitaku, Brikena Mulliqi, Kimete Berisha, Mehdi Uka, Liridona Hoti (ZKM), Atifete Jakupaj (MFPT), Taibe Selmani.

Rreth Projektligjit për kinematografi ka pasur kundërthënie të vazhdueshme mes kineastëve por edhe Ministrisë së Kulturës.