Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kush nga rinia e sportistët, mund të përfitoj nga fondi 5 milionësh i Qeverisë?
Shuma prej pesë milionë eurosh do të shpërndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e kulturës, rinisë dhe sportit në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike, të ndarë në Qeveria.
Nga pesë milionë euro, 2.5 milionë do të ndahen për sektorin e rinisë dhe sportit, ndërsa 2.5 milionë tjera për kulturën dhe trashëgiminë.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, tha që për herë të parë përmes subvencionimit nga MKRS-ja do të mbështeten individët, nëpërmes bursave, rinia do të mbështetet dhe financohet pjesëmarrja nëpër festivale, konferenca, do ndahen grante për ndërmarrësit e rinj, do të subvenciohen institucionet komunale të kulturës, do financohet sporti në shkolla e universitete e do të mbulohen shpenzimet për të sportistët e lënduar.
Mjetet financiare do të ndahen në tri module përmes thirrjeve publike.
Në kuadër të kësaj, hynë nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme, komunitetet pakicë, mësimdhënësit, personat me nevoja të veçanta, gratë, persona nga komuniteti LGBT.
“Për prioritetet do të jenë bursat në sektorin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore që nuk përkrahen nga universitetet. Gjithashtu përmes thirrjes ka mundësi të përkrahen edhe udhëtimet jashtë vendit për festivale e konferenca”, tha Osmani.
Sipas saj, për herë të parë, individët do të kenë mundësi të subvencionohen deri në 25 mijë euro, që më parë ka qenë vetëm 5 mijë euro.
Në modelin e dytë do të mundësohet blerja e veprave artistike, vizuale dhe audiovizuale.
“Të gjitha ato vepra do të inventarizohen dhe bëhen pjesë e Galerisë Kombëtare, Bibliotekës Kombëtare dhe muzeve të Kosovës”, tha ajo.
Në modulin e tretë, përmes memorandumeve me komunat, do të mbështesim institucionet komunale të kulturës, si teatrot, muzetë e bibliotekat që kanë status publikë.
Në sektorin e rinisë, do të përkrahen me 500 mijë euro përmes thirrjes publike, do të ndahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, ndërmarrësisë e aftësimin profesional.
Në buxhetin e pjesës së dytë të vitit, do të mbahen trajnime dhe do të ndahen grante për bizneset që udhëhiqen nga të rinjtë. Vlera është 1 milion euro.
Me 2 milionë eurot e ndara për sportin, do të mbështet edhe shërimi i sportistëve dhe do të ketë përkrahje edhe për sportin shkollor e universitar dhe organizimi i kampionatit të hendbollit.
“Për sportin do të ndahen 2 milionë euro. Do të mbështet edhe sporti shkollor dhe universitar, dokumentimi i sportit”, tha ajo.
Osmani gjithashtu tha që do të mbulohen shpenzimet për mjekimin dhe rikuperimin e sportistëve nga lëndimet, të sportistëve të përfaqësueseve shtetërore dhe sportistëve të ligave në vend”, tha ajo.
Këtë vit 13 milionë euro janë ndarë gjithsej për të gjithë sektorët në kuadër të MKRS-së.
Në mbledhjen e 24-të Qeverisë ishin paraparë të ndahen pesë milionë euro ndihmë si pasojë e ndikimit të rrethanave pandemike.