“Mirëdita, dobar dan!”: Publikohen datat e mbajtjes së edicionit të 12-të të festivalit
Edicioni i 12-të i festivalit i “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet më 20, 21 dhe 22 nëntor 2025 në Prishtinë. Ky festival pritet të mbledh artistë të afirmuar dhe të rinj nga skena kulturore dhe artistike bashkëkohore e Beogradit (Serbisë).
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet që nga viti 2014, nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR, Serbia), “Integra” (Kosovë) dhe Iniciativa Qytetare (Serbi) dhe mbahet një vit në Prishtinë dhe një vit në Beograd.
Edicioni i kaluar i këtij festivali u mbajtë në Beograd- Serbi nga data 27 deri më 29 qershor 2024.
Organizata “Integra” ka njoftuar se gjatë këtij edicioni të festivalit do të organizohen performanca muzikore, debate, tryeza diskutimi, ekspozita e performanca artistike, mbrëmje poetike e shfaqje filmash.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, sipas “Integras”, për vite me radhë ka përfaqësuar një platformë unike që lidh skenën kulturore të Prishtinës dhe Beogradit, duke krijuar një hapësirë ku “arti dhe kreativiteti nxisin një reflektim të përbashkët mbi të tashmen dhe të ardhmen e dy shoqërive”.
“Në një kohë të shënuar nga rifuqizimi i retorikës nacionaliste – si në rajon ashtu edhe në nivel global – festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ mbetet një hapësirë e veçantë për dialog, mirëkuptim dhe lidhje”- thuhet në njoftimin e ‘Integras”.
Sipas njoftimit, festivali hapet më 20.11.2025, në orën 20:00 në hapësirën “Defy Them” me performancën e grupit “Pliš” (Plish), një kolektiv i ri nga skena alternative e rokut në Beograd.
Festivali do të mbyllet më 22.11.2025, me shfaqjen e filmit “78 Ditë” nga regjisorja Emillia Gashiq (Emilija Gasic), nga ora 20:00 në hotelin “Grand”.
Të gjitha aktivitet në festival janë falas dhe të hapura për publikun.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet me mbështetjen e National Endowment for Democracy, Bashkimi Evropian, Rockefeller Brothers Fund, “Pro Peace”- Kosovë dhe “Qendra Barabar”.
