Foto: KALLXO.com.
Ndikimi ekonomik i ‘DokuFest 2025’- Festivali ka kontribuar me rreth 3.7 milionë euro në Bruto Prodhimin Vendor
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest” ka publikuar një studim të pavarur, të realizuar nga “GAP Institute”, i cili mat ndikimin ekonomik të festivalit në Prizren dhe në nivel të Kosovës.
Sipas studimit, rezultatet konfirmojnë se “DokuFest” që mbahet çdo vit në gusht, është jo vetëm festival filmash, por edhe një motor i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor për qytetin dhe vendin.
Sipas studimit, çdo 1 euro e investuar në DokuFest gjeneron 9 euro aktivitet ekonomik, duke e pozicionuar festivalin si një nga ngjarjet më me ndikim në ekonominë lokale dhe në atë kombëtare.
Sipas njoftimit të “DokuFestit”, për edicionin e 24 të mbajtur në gusht 2025 në Prizren, studimi tregon se vizitorët e festivalit kanë gjeneruar mbi 5.2 milionë euro shpenzime në qytet, përfshirë akomodimin, gastronominë, transportin dhe shërbime të tjera.
“Festivali ka kontribuar rreth 3.7 milionë euro në Bruto Prodhimin Vendor (BPV) të Kosovës.”- thuhet në njoftim.
Për këtë analizë, sipas njoftimit, “GAP Institute” ka kombinuar anketimin e vizitorëve të festivalit me të dhënat zyrtare të qarkullimit të bizneseve lokale, siç thuhet në njoftim, për të kuptuar më mirë se si “DokuFest” ndikon në modelet e shpenzimeve, në rritjen e turizmit dhe në sjelljen e vizitorëve për herë të parë në Prizren dhe Kosovë.
“DokuFest” thotë se e sheh këtë raport si pjesë të angazhimit afatgjatë për transparencë dhe për të treguar se investimi në kulturë është edhe investim në zhvillimin lokal.
“Gjatë më shumë se dy dekadave, festivali është shndërruar në një platformë ku bashkohen shfaqjet e filmave, ekspozitat, ligjëratat, punëtoritë, programet edukative dhe ngjarjet muzikore dhe ky studim ndihmon publikun dhe partnerët të kuptojnë më qartë vlerën e këtij kontributi.”- thuhet në njoftim.
Sipas “DokuFestit” i cili po bën përgatitjet për edicionin jubilar të 25-vjetorit, rezultatet e studimit dërgojnë një mesazh të fortë se mbështetja e kulturës në Kosovë sjell përfitime të matshme ekonomike.
Edicionit i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest” është mbajtur nga 01 deri më deri më 9 gusht 2025 në Prizren.
I themeluar në vitin 2002 me vizionin e ringjalljes së kinemasë dhe pasurimit të peizazhit kulturor të Prizrenit, “DokuFest” është rritur në një festival me reputacion ndërkombëtar.
Që nga viti 2019, “DokuFesti” ëshë një festival kualifikues për BAFTA për filma të shkurtër, dhe në vitin 2022, fitoi rolin prestigjioz të festivalit nominues për Akademinë Evropiane të Filmit.