Roya Karimi. Foto: Facebooku i saj
Si u bë nusja e mitur afgane një prej bodybuildereve më të mira të Europës
Rrëfimi i jetës së Royas është një histori lufte kundër traditave kufizuese dhe rindërtimit të identitetit të saj – dhe përpjekjes për t’i frymëzuar gratë në vendlindjen e saj që përballen me kufizime të shumta, shkruan BBC në shkrimin e gjatë për jetën e Roya Karimit
Gruaja që qëndron në skenë shkëlqen me bikinit të zbukuruar me kristale.
Teni i lëkurës së saj ia shpërfaq të gjitha linjate muskulore të definuara mirë. Ato janë rezultat i orëve të tëra të stërvitjes me pesha në palestër.
Grimi i Roya Karimit vendosur në mënyrë perfekte dhe flokët bjonde nuk do të dukeshin të çuditshme as në finalen e Miss Universe.
Është e vështirë të imagjinohet se vetëm 15 vjet më parë, ajo ishte nënë adoleshente në Afganistan, e martuar si fëmijë, përpara se të arratisej dhe të niste jetën e saj të re.
Tani 30 vjeçe, Roya është një nga bodybuilderet më të suksesshme të Europës dhe gjatë javës do të garojë në Kampionatin Botëror të Bodybuilderingut. Ngritja e saj ka qenë meteorike – e nisi këtë sport profesionalisht vetëm më pak se dy vjet më parë.
Largimi nga vendlindja në kaos
Asnjë nga këto suksese nuk do të dukeshin të mundshme kur Roya u largua nga Afganistani me nënën dhe djalin e saj të vogël. Atëherë, do të kërkonte azil në Norvegji ku nisi një jetë të re për veten, duke vazhduar shkollimin dhe duke u bërë infermiere, derisa ndërkohë do të takohej me bashkëshortin e ri, i cili gjithashtu merret me bodybuilding. Bodybuildingu do ta ndihmonte të çlirohej nga kufizimet mendore dhe sociale që i ishin imponuar për vite me radhë, thotë ajo.
“Sa herë që shkoj në palestër, më kujtohet se kishte një kohë në Afganistan kur nuk më lejohej as të ushtrohesha lirisht”, ka treguar Roya për programin afgan të BBC-së.
Rrëfimi i jetës së Royas është një histori lufte kundër traditave kufizuese dhe rindërtimit të identitetit të saj – dhe përpjekjes për t’i frymëzuar gratë në vendlindjen e saj që përballen me kufizime të shumta.
Disa nga këto kufizime ekzistonin kur Roya jetonte në Afganistan – si rezultat i normave shoqërore. Por ato janë përkeqësuar që nga viti 2021, kur talebanët e rimorën pushtetin. Tani, grave në Afganistan u ndalohet shkollimi pas moshës 12-vjeçare, të punojnë në shumicën e vendeve të punës, nuk u lejohet të udhëtojnë në distanca të gjata pa shoqërues mashkull dhe u kërkohet të mos e ngrenë zërin në publik.
“Isha me fat që munda të dal nga ajo situatë, por shumë gra ende nuk i kanë të drejtat e tyre më themelore të njeriut, siç është arsimi. Është vërtet e trishtueshme dhe me ta këputë shpirtin”, thotë Roya.
Në kërkim të një të ardhme tjetër
Por disa vite para se talebanët të ktheheshin në pushtet, Roya ndau mendjen se “nuk e donte atë jetë”.
Vendimi i saj për t’u larguar nga Afganistani më 2011, duke ia kthyer shpinën bashkëshortit të atëhershëm, kishte edhe shumë rreziqe për një grua në shoqërinë tradicionale afgane. Dhe ajo nuk është një kohë që i pëlqen ta kujtojë – dhe nuk dëshiron të flasë për të.
Roya do të përballej në Norvegji me mjedis krejtësisht të ndryshëm. Ajo duhej të përshtatej me kulturën e re, më liberale, të gjente një punë për të mbështetur veten dhe familjen dhe të mësonte norvegjishten.
Ishte e vështirë të përballonte të gjitha kërkesat në ditët e para, por përpjekjet e saj përfundimisht ia vlejtën. Roya studioi infermieri dhe punoi në një spital në kryeqytetin Oslo.
Përfshirja e Royas në bodybuilding ishte pika tjetër e kthesës në jetën e saj. Shkuarja në palestër nuk kishte të bënte vetëm me ushtrimet fizike; ishte gjithashtu një shteg për rindërtimin e vetëbesimit dhe për ripërcaktimin e identitetit personal.
Ishte gjithashtu vendi ku ajo do ta takonte bashkëshortin e dytë, bashkëkombësin afgan, Kamal Jalaluddin.
Ai kishte histori të gjatë në bodybuilding dhe është një nga mbështetësit kryesorë të Royas.
“Para se të takoja Kamalin, merresha me sport, por jo në një nivel profesional”, shpjegon ajo. “Mbështetja e tij më dha zemër ta zgjidhja rrugën për pjesëmarrje në gara dhe të thyeja tabutë. Unë besoj se nëse një burrë qëndron pranë një gruaje, mund të pasojnë gjëra të mahnitshme”.
Kërcënimet me vdekje dhe fyerjet
Tetëmbëdhjetë muaj më parë, Roya do të ndante mendjen ta linte karrierën si infermiere dhe të hynte në botën e bodybuilding profesional.
Ishte një vendim i rrezikshëm, megjithëse sfida kryesore për të nuk ishte ndërrimi i vendit të punës. Në vend të kësaj, kjo më shumë lidhej me përshtatjen me liritë pas kufizimeve që kishte përjetuar në Afganistan.
“Sfida jonë më e madhe ishte të thyenim kufijtë dhe kornizat që të tjerët kishin vendosur për ne – rregullat e pashkruara që na u imponuan në emër të traditës, kulturës, fesë apo çfarëdo qoftë”, thekson ajo. “Por kur vendos të bësh kthesa të mëdha, duhet t’i heqësh qafe ato kufizime”.
Megjithatë ndryshimi nuk do të rezultonte pa probleme.
Bikinit, flokët e gjata dhe grimi i rëndë që ajo i shfaq në skenë janë ndryshim botë tjetër krahasuar me normat shoqërore – dhe tani kufizime zyrtare – të cilat diktojnë se si gratë të vishen dhe paraqiten në vendlindjen e saj.
Ndoshta nuk është habi pse që llogaritë e saj në mediat sociale janë bombarduar me kritika, shpesh duke përfshirë kërcënime me dhunë dhe madje edhe me vdekje.
Ajo i hedh poshtë komentet e kësaj natyre.
“Njerëzit shohin vetëm pamjen time dhe bikinit e mia. Por pas kësaj pamjeje, ka vite vuajtjesh, përpjekjesh dhe këmbënguljesh. Këto suksese nuk janë korrur lehtë”.
Por mediat sociale nuk janë aspak negative për Royan: ato i ia mundësojnë të flasë me gratë në Afganistan, duke u treguar atyre për rëndësinë e shëndetit fizik, vetëbesimit dhe rindërtimit të identitetit të gjithsecilës.
Tani Roya po përgatitet të garojë në kampionatin botëror të bodybuildingut – i cili fillon të enjten në Barcelonë – ku ajo shpreson të shënojë rezultate të larta bazuar në sukseset që i arriti në fillim të vitit.
Ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë “Wellness” në garën e bodybuildingut “Stoperiet Open” në prill – një kategori që i kushton rëndësi të veçantë formës natyrale, pamjes së shëndetshme dhe bukurisë diskrete, në vend të masës së madhe muskulore.
Fitorja u pasua menjëherë nga një tjetër në garën prestigjioze “Norway Classic 2025”, e cila mbledh atlete nga krejt Skandinavia.
Prej andej, garoi pastaj në kampionatin europian – i cili i siguroi vend në kampionatin botëror.
“Ndjej një ndjenjë të thellë lumturie, krenarie dhe nderi brenda meje”, thekson ajo ndërsa përgatitet të garojë në qytetin spanjoll. “Ka qenë një udhëtim tepër i vështirë gjatë gjithë vitit, por hap pas hapi, arrita të fitoj medalje ari”.
Nga ana tjetër, burri dhe i biri i qëndrojnë gjithnjë në krah.
“Dalja e Royas në skenë ishte realizim i një ëndrre që e ndërtuam bashkë”, thotë me entuziazëm Kamali.
Por për Royan, kjo garë sidomos ka rëndësi më të madhe sesa vetëm për të dhe familjen.
“Ndihem mendërisht e fortë dhe plotësisht e gatshme të jap gjithçka, duke shpresuar të bëj histori, duke e vendosur për herë të parë këtë rekord në emër të vajzave dhe grave afgane”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com