Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush me kë do të bëjë koalicion për balotazhin e Kaçanikut? - Tregojnë kandidatët

Kandidatët për kryetar të Kaçanikut, në Debat Pernime kanë treguar për bisedimet me partitë e tjera politike për koalicionet e mundshme në lidhje me balotazhin e 14 nëntorit.

Kandidati për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje tha se deri tash nuk kanë arritur marrëveshje koalicioni.

“Kemi biseduar, disa janë shprehur të gatshëm për ndryshim dhe mendoj që të gjitha subjektet që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, kanë marrë pjesë për ndryshimin e pushtetit, dhe besoj se do të na përkrahin”, tha ai.

Kurse, kandidati nga PDK-ja, Besim Ilazi tha nuk do të bëjë koalicion për balotazh paraprakisht.

“Kam kërkuar mirëkuptim nga partitë politike që nuk janë më në garë, që të lejojnë të lirë elektoratin e tyre të vendosin vetë me bindjet e tyre”, u shpreh Ilazi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kaçanik: Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Besim Ilazi ka marrë 44.7% të votave kurse Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 33.4% të votave.