Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Kush do të jap përgjegjësi për gjërat e humbura të studentëve në konvikte?

Qendra e Studentëve tash e tre muaj ka shërbyer për karantinimin e personave të cilët kanë ardhur nga jashtë Kosovës, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

Në konviktet tre, gjashtë, shtatë dhe tetë janë karantinuar mbi 1300 persona.

Studentëve të cilët kanë qenë banues në konvikte, në muajin mars u është thënë që duhet të largohen për shkak se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Qendra e Studentëve të shndërrohet në karantinë.

Nëpër dhomat e konvikteve, studentët kanë lënë gjërat e tyre personale, duke filluar nga librat, pajisjet teknologjike, aksesorë, arka të kursimeve e veshje të ndryshme. Por pas tre muajve kur studentët janë njoftuar se mund të shkojnë për të marrë gjërat e tyre personale, ata nuk i kanë gjetur ashtu siç i kanë lënë.

Valbonë Sahiti, studente e Fakultetit Filologjik, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge ka qenë banore e konviktit numër 4. Ajo ka treguar për KALLXO.com se kur ka shkuar për të marrë gjërat e saj në konvikt sipas orarit të përcaktuar nga Qendra Studentore, nuk i ka gjetur në dollap të gjitha gjërat që i kishte lënë kur kishte dalë.

Sahiti ka treguar se asaj i mungon një drejtuese e flokëve, e cila kap vlerën 62 euro.

“Unë e kam lajmëruar rastin. Ata na kanë thonë që vetëm pastrueset kanë hyrë nëpër dhoma”, ka treguar Sahiti.

Egzon Berisha banor i konviktit numër 8, ka treguar për KALLXO.com se atij i ka humbur një telefon i mençur iPhone 6 të cilin e ka pasur jo aktiv të vendosur në dollapin e dhomës së tij.

“Ka qenë jo aktiv. Po tash e pashë që e kanë ndezur telefonin, se më erdh njoftim në telefonin tim”, tha Berisha.

Ai tregoi që ka telefonuar Policinë, por ata i kanë thënë që është më mirë që të shkoj e ta paraqes fizikisht rastin në Polici. Por Berisha ka thënë se deri tani nuk ka pasur mundësi ta bëj këtë. Berisha më tej ka treguar se në bazë të lokacionit, telefoni për herë të fundit është gjurmuar të jetë në Rahovec.

Përveç telefonit të mençur iPhone 6, ai ka treguar se në dhomën e tij ka munguar edhe një kabull të cilën ai e kishte lënë aty kur ishte larguar nga konvikti.

Edhe Eriona Qorraj, banore e konviktit numër 7, ka treguar se ajo dhe shoqja me të cilën e ka ndarë dhomën kur janë kthyer për të marrë gjërat personale, nuk kanë gjetur shumë gjëra të cilat i kishin lënë aty.

Qorraj ka rrëfyer për KALLXO.com se ato i kanë gjetur të thyera dhe të zbrazura arkat e kursime.

Përveç kësaj ajo ka numëruar edhe gjëra të tjera të humbura, si parfume e aksesorë.

“Mua dhe cimeres time na kanë marrë paratë nga arka e kursimeve, mua ma kanë marrë edhe një jakne të lëkurës dhe një parfum, ndërsa cimeres një jakne të dimrit dhe një unazë argjendi”, ka treguar Qorraj.

Studentja Qorraj ka thënë se kur ka hyrë në dhomën e saj në konviktin numër 7, dollapët kanë qenë të mbyllur me ngjitës.

“Pasi i kemi hapur dollapët e kemi pa se ata dollapë janë hapur, te rrobat e kemi vërejtur që plot prej rrobave të cimeres kanë qenë të hedhura te dollapi im e njëjtë edhe të miat te ajo”, ka shpjeguar Qorraj.

Ajo ka shtuar se përpos gjërave të humbura, në dhomën e tyre kanë gjetur edhe gjëra të tjera që nuk kanë qenë të tyre.

“Në dhomë kemi gjetur edhe një qese e cila ka qenë e vendosur mbi dollap. Në atë qese ka qenë një telefon, një mbushës i telefonit, një palë dëgjuese dhe një orë dore”, ka treguar Qorraj.

Qorraj ka treguar se e njëjta ka kontaktuar me pronaren e telefonit dhe ia ka kthyer asaj.

“Fatmirësisht telefoni ka qenë pa fjalëkalim dhe kam kontaktuar me pronaren e cila ka qenë po ashtu banore në këtë konvikt. Ora dhe dëgjueset nuk kanë qenë të saj”, ka thënë Qorraj.

Më tej, Qorraj ka thënë se gjërat e humbura i ka paraqitur në Policinë e Kosovës.

“Kemi dhënë edhe deklaratë në Polici për sendet çka mungojnë, për të cilat nuk kemi shpresë se kanë me na u kthy, por vetëm kemi pas dëshirë që me u pa kjo paturpësi e kjo padrejtësi që është bërë ndaj studentëve”, ka përfunduar ajo.

Për humbjen e gjërave personale të studentëve ka reaguar edhe organizata studentore “Paqja Studentore”.

Në reagimin e tyre thuhet se gjatë tërheqjes së gjësendeve nga studentët banues të konvikteve tre dhe tetë, janë paraqitur dhjetëra ankesa për humbjen e gjësendeve të tyre personale, si: veshmbathje, kursime të parave, etj.

“Paqja Studentore” u ka bërë thirrje Qendrës së Studentëve dhe Policisë së Kosovës që të kontaktojnë me të gjithë studentët që janë dëmtuar dhe së bashku me ta t’i identifikojë dëmtuesit/vjedhësit eventualë të gjësendeve të tyre.

“”Paqja Studentore” i konsideron këto veprime vulgare si dhe të papranueshme që u janë bërë studentëve të Universitetit të Prishtinës, që banojnë në Qendrën e Studentëve”, thuhet në reagimin e organizatës “Paqja Studentore”.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka thënë se me të gjitha rastet e studentëve të cilët u kanë humbur sendet e tyre personale nëpër konviktet ku ka pasur të karantinuar do të merret Policia e Kosovës.

“Bëhet një evidencë e saktë të një konvikti të caktuar edhe të gjitha ato deklarata me mungesa të studentëve procedohen në Polici, edhe Policia përmes instrumenteve të veta, përmes regjistrave tonë se kush ka qenë atje e bëjnë procedurën e vetë, kjo vlen për konviktet ku kanë qenë të karantinuarit që ne nuk kemi pasur qasje për kontroll si Qendër e Studentëve”, tregon ai.

Shqetësimi i studentëve për gjërat e humbura nuk po adresohet vetëm për konviktet ku ka pasur persona të karantinuar, por edhe në ato konvikte ku nuk ka pasur të tillë.

Sfishta ka thënë për KALLXO.com se për këtë përgjegjësi jep Qendra e Studentëve.

“Pjesën tjetër ku nuk ka pasur të karantinuar, përgjegjësi japim ne, mirëpo deri më tani nuk kemi raste”, tha drejtori Sfishta.

Por më pas ai shtoi se deri tani vetëm një student është ankuar që i ka humbur një lap-top.

“Nuk e di çka shkruajnë studentët, unë e kam vetëm një rast, në konviktin numër një që e ka deklaruar një student një lap-top, as ai nuk është i sigurt sepse ka qenë një student shumë problematik dhe dëshiron me e shfrytëzu rastin, nuk mundet me e vërtetu në asnjë formë se herë thotë po mendoj që e ka marrë cimeri, herë thotë nuk po jam i sigurt a e kam lënë në shtëpi”, u shpreh Sfishta.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti – Haziraj ka thënë se në bazë të raportit 24 orësh, janë paraqitur me dhjetëra raste të vjedhjes dhe dëmtimit të pronës në konvikte.

“Tek ne janë raportuar për raste të vjedhjeve apo dëmtim të pronës varësisht qysh janë iniciuar prej veprave. Janë raste të iniciuara, janë duke u hetuar, në koordinim me prokurorin merren krejt masat që duhet me u marrë për raste të tilla”, ka thënë Ahmeti-Haziraj për KALLXO.com.

Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë çdo vit akomodohen rreth 4 mijë studentë të cilët studiojnë në Universitetin e Prishtinës.