Kurti: Nuk pres nga ShBA ta shohin Beogradin me sytë e Albin Kurtit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një intervistë për emisionin “Public Square” ka deklaruar se nuk pret nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e tij dhe as të ndodhë e njëjta nga ana e tij.

Kryeministri Kurti e ka arsyetuar këtë qëndrim të tij duke thënë se ka qenë rob lufte dhe sipas tij nga ajo që ka dijeni beson se Serbinë e njeh më mirë se Departamenti i Shtetit Amerikan.

“Unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve, as nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit të Shtetit Amerikan. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhejtëra njerëz të cilët janë vrarë në luftë e i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi. SHBA dhe Serbia kanë njohje reciprok. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, SHBA janë dëshmitare, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njohë më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtin as qëndrim, as ndjeshmëri sikurse Departamenti i Shtetit Amerikan. Marrëdhënia jonë duhet të jenë e aleatëve, partnerëve dhe miqve. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identikë” – ka thënë Kurti.

Para se të deklaronte këtë, Kurti ka folur për raportin e tij me serbët e Kosovës, për të cilët tha se nuk ka ditë të punës së tij që nuk takon serbë, qytetarë të Kosovës e që nuk komunikon me ta.

“Këtu nuk e kam fjalën për ministrin tim Nenad Rashiç dhe zëvendësin e tij Radoiça Radomiroviç. Këtu e kam fjalën edhe për serbë të tjerë. Sidomos tani nga veriu i Kosovës lajmërohen gjithënjë e më shumë serbë. Mirëpo, kërkesa e tyre e parë dhe e fundit teksa dalin nga takimi është të mos ketë fotografi, të mos ketë komunikatë, të mos përmenden emra” – tha Kurti.

Më tej, ai ka shtuar se në veri të Kosovës vitin e kaluar me dhjetëra makina të serbëve të integruar janë djegur dhe nga kjo ka dalur në disa përfundime për mënyrën e trajtimit të serbëve të Kosovës e shqiptarëve, pas kalimit të kufirit Kosovë – Serbi.

“Ky është fenomen i paparë në Kosovën e pavarur. Ata kanë djegura makina të shqiptarëve më herët, tash nuk po djegin makina të shqiptarëve. Tash po djegin makina të serbëve që po integrohen. A e dini që kur e kalon kufirin Kosovë – Serbi shumë më pak cenohet e ngacmohet një shqiptar sesa një serb i integruar në institucionet e Kosovës? Pra serbët të cilët integrohen në sistemin tonë të Kosovës heqin të zitë e ullirit nëse vendosin të shkojnë në Serbi” – theksoi Kurti.