Kurti: Janë paralajmëruar masa ndaj Kosovës edhe janë zbatuar disa prej tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë disa masa janë zbatuar e disa janë paralajmëruar nga partnerët ndërkombëtarë.

Shefi i Qeverisë së Kosovës edhe njëherë i quajti si të padrejta këto masa, për të cilat thotë se janë të përkohshme.

“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë ku e kishim të planifikuar u pat anuluar, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta” – tha ai.

Kurti shtoi se në Kuvend duhet të votohen kredi dhe grante në vlerë prej 149 milionë euro që kanë mbetur të bllokuara për shkak se u nevojiten 2/3 e votave për të kaluar.

“Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilin do të mund ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës” – tha Kurti.

Kurti foli edhe për deklaratat e Bashkimit Evropian pas shpalljes terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Ai tha se ka pa numër fakte e dëshmi se ato janë organizata terroriste.

“Ne kemi pa numër fakte e dëshmi, jo vetëm argumente se bëhet fjalë për organizata terroriste. Nëse ne me këto fakte e dëshmi nuk do t’i shpallnim organizata terroriste, do të bënim shkelje. Kur e ke këtë informacion që tregon qartë se bëhet fjalë për organizata terroriste, e nuk do t’i shpallnim të tilla, do të bënim shkelje”, ka thënë ai gjatë vizitës së punimeve të zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë.

Tutje kreu i ekzekutivit, tha se me Bashkimin Evropian është në kontakt të përditshëm.

“Jam i interesuar edhe për de-eskalim edhe për normalizimin. De-eskalimi nënkupton sundim të ligjit duke i detyruar kriminelet të ballafaqohen më drejtësinë ose të kthehen në Serbi”- tha ai.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it. Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.