Kurti flet për ndërtimin e Stadiumit të Gjilanit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se në disa projekte në Gjilan kanë gjetur shkelje dhe se sipas tij, për këtë arsye nuk kanë mundur t’i jetësojnë.

Krahas kësaj, Kurti sot në Gjilan përmendi projektin e Stadiumit të Gjilanit, i cili për më shumë se 5 vjet nuk po arrinë të jetësohet.

Sipas kryeministrit Kurti, duhet bërë korrigjim për ndërtim të mbarë.

“Disa projekte që i kemi gjetur me shkelje për brenda nuk kemi mundur t’i vazhdojmë. Sepse, ne nuk mund të bëjmë mbindërtim në shkeljet e gjetura. Na duhet ta bëjmë edhe korrigjim për ndërtim të mbarë, e kam fjalën për Stadiumin e Gjilanit, i cili është projekt i yni por duhet të jetë i tillë që edhe të përfundohet me sukses edhe pa shkelje në proces” – tha kryeministri Kurti para gazetarëve.

Kanë kaluar 5 vjet prej kur kanë filluar punimet, janë ndërruar dy kryetarë komune e katër ministra të Sportit por Stadiumi i Gjilanit ende nuk ka përfunduar.

Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë asnjë cent për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan për vitin 2022.

Pamjet e stadiumit të qytetit duken sot si “gërmadha”. Hekura të vendosura në ulëset e stadiumit që paraqesin rrezik për tifozët. Zyrat e stadiumit rrezikojnë të vërshohen nga uji, sa herë që bie shi.

Gjilani ka dy klube të futbollit – Drita dhe Gjilani, të cilat aktualisht po i zhvillojnë ndeshjet si vendas në një stadium ndihmës.