Kryetari i KPM-së u drejtohet deputetëve të LVV-së: Kujdes me gjuhën e urrejtjes ndaj nesh

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka raportuar para Komisionit për Media pas vendimit për rikthimin e kanaleve sportive të “Arena”.

Këto kanale kishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë serbë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Ky vendim u kritikua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pjesë e këtij komisionit, të cilët kërkuan edhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së.

Deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi në fjalën e tij tha se po të ishte në vend të anëtarëve të KPM-së do të ndjehej i turpëruar.

“A ka shkelje më të madhe të interesit të qytetarëve dhe rendit jurifik dhe kushtetues të vendit, kur një provajder në kontentin e vet promovon terrorizmin dhe mbron terroristët të financuar dhe mbështetur nga Serbia dhe ju mjaftoheni me një kërkim falje, nuk e di a mjaftohet familja e Afrim Bunajkut me kërkim faljen…Me qenë në vend të juajin isha ndje fort i turpëruar”- ka thënë mes të tjerave Muzaqi.

Ndaj kësaj ka reaguar, Jeton Mehmeti kryetar i Bordit të KPM-së, i cili u drejtua anëtarëve të komisionit që të kenë kujdes nga gjuha e urrejtjes.

“Të keni kujdes nga gjuha e urrejtjes ndaj anëtarëve të KPM-së, ndaj këtij institucioni. Ai tha se po krijohet një situatë sikurse ne e kemi krijuar atë sulm”- tha ai.

Ndaj kësaj deklarate u kundërpërgjigj, deputeti Muzaqi duke ju drejtuar me fjalën “Mos u viktimizoni!”

Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen e në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim ku ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.