
Albin Kurti, foto: ZKM
Kryeministria për mosdëshminë e Kurtit: Jemi përballur me një valë dezinformatash, Kryeministri nuk ka refuzuar dëshminë
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë reagim zyrtar lidhur me dëshminë e Kryeministrit, e cila është kërkuar nga Prokuroria Speciale për çështjen e rezervave shtetërore.
Nga ZKM thonë se për dhënien e dëshmisë së Kryeministrit për rezervat shtetërore nuk duhej politizuar dhe se ka pasur dezinformata e përpjekje për të sajuar perceptim të rremë për këtë proces.
“Mosreagimi ynë i deritanishëm nuk ka qenë mungesë vëmendjeje, por respekt për procesin ligjor që duhet të zhvillohet pa ndërhyrje të jashtme. Sidoqoftë është bërë e qartë se po përballemi me një orvatje të hapur, për të manipuluar dhe hutuar opinionin publik.” – thuhet mes të tjerash në reagimin e ZKM-së.
Tutje nga Kryeministria thonë se Kurti nuk ka refuzuar të dëshmojë dhe ka ofruar bashkëpunim për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj.
ZKM ka përsëritur se Kurti vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmojë “sa më shpejtë, aq më mirë” – thonë nga kjo Zyrë.
“Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë e Sistemit gjyqësor, por refuzojmë përdorimin e tij si një mjet për përfitime politike.” – thuhet tutje në reagim.
SHBA-ja dhe Franca janë shembujt që ka marrë ZKM si demokraci të zhvilluara, e që e kanë praktikë që zyrtarët e lartë të dëshmojnë nga Zyret – sipas ZKM-së për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore.
“I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-Kryeministrave dhe madje te Zëvendëskryeministri aktual. Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural, që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?” – thotë ZKM.
“Unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi, apo refuzoj të jap dëshmi. Përkundrazi, kam thënë që jam i gatshëm dhe i interesuar që të dëshmoj. Në anën tjetër, kam shkruar edhe letrën në të cilën kam treguar oraret kur mund të bëhet dëshmia.” – kishte thënë Kurti, më 04.03.2025, në Gjilan.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur për KALLXO.com, më 28.02.2025, se ka obliguar Kurtin që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, me po këtë datë – lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
“Shtrohet pyetja pse i humb Prokuroria tre muaj? Për bindjen time të fuqishme, sepse është më shumë e interesuar që të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut, sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë. Lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar Qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj.” – tha ai.
Kurti ripërsëriti qëndrimin se dëshminë mund ta japë edhe prej Zyrës së tij, me arsyetimin se ka pasur edhe raste në të kaluarën që hetuesit e prokurorët kanë marrë dëshmi në Zyrat e Qeverisë. Madje, jo vetëm nga dëshmitarët, por edhe nga të pandehurit.
“Prandaj, nuk ka asnjë arsye që kjo të mos vazhdojë. Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana tjetër. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte te ne. Një Prokuror i cili e ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit, ai nuk humb kohë.” – shtoi Kurti.
Kurti është urdhëruar që dëshminë ta japë me këtë datë, pas Vendimit të Gjykatës, më 21.02.2025, e cila e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë që ta urdhërojë Kryeministrin e vendit që të paraqitet para objektit të PSRK-së.
Këtë Vendim e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake, Valon Kurtaj.
Ndonëse ishte thirrur për të dëshmuar tri herë nga Prokuroria, çka kishte rezultuar pa sukses për organin e akuzës – pa një zgjidhje për ta bindur kryeministrin Kurti për të dhënë dëshmi për rastin e rezervave shtetërore në objektet e Prokurorisë Speciale – atëherë Prokuroria i ishte drejtuar Gjykatës.
Prokuroria kishte kërkuar nga Gjykata që të nxjerrë Vendim për urdhërimin e dëshmitarit, Albin Kurtit që të paraqitet në objektet e Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshmi – lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Rasti i rezervave shtetërore
Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me Vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.
Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?
Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.
Prokuroria ka thënë në Dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”, me seli në Bursa të Turqisë, për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni, për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E, më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të të pandehurve, Irfan Lipovica e Hafiz Gara me O. E. ka luajtur një rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.
Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit
Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë Zëvendëssekretar i Përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës Kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në Kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me Operatorin Ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe Operatorit Ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.
Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica Kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit
Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më 25 shkurt 2022, ka adresuar te Irfan Lipovica Kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se Kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo Kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E, më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit.