Foto: ZKM

Kryeministri Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin e SHBA-së

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sot më 26.12.2024. 

Kurti i ka shprehur mirënjohje ambasadorit të SHBA-së për angazhimin dhe shërbimin e tij në Kosovë. 

Në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti dhe Hovenier gjatë këtij takimi kanë biseduar për progresin e arritur gjatë këtij mandati qeverisës dhe mandatit të ambasadorit Hovenier, si dhe për bashkëpunimin që kanë pasur gjatë kësaj kohe. 

“Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ka arritur nivele të reja gjatë mandatit të tij, dhe kontributi i Ambasadorit Hovenier ka qenë thelbësor për forcimin e këtyre lidhjeve në fushat e mbrojtjes, sigurisë, inteligjencës, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë”- thuhet në komunikatën e qeverisë. 

Tutje, Zyra e Kryeministrit thekson se në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, Kurti i ka dëshiruar ambasadorit Hovenier shëndet dhe suksese duke thënë se Kosova do të jetë gjithmonë shtëpi e tij dhe e familjes së tij.