Kriza e ndërmarrjes “Prishtina Parking” nxit debate në Kuvendin Komunal të Prishtinës
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur sot, më 28.04.2026, mbledhjen e rregullt, ku një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte gjendja në ndërmarrjen publike “Prishtina Parking”.
Fillimisht, në rend të ditës ishte paraparë propozim-vendimi për subvencionimin e kësaj ndërmarrjeje, por më pas pika u ndryshua në propozim-vendimin për lënien në diskutim publik të ndryshimit dhe plotësimit të rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në komunën e Prishtinës.
Kjo pikë në fund u miratua nga Kuvendi, por u shoqërua me debate mes pozitës dhe opozitës lidhur me krizën që po përjeton ndërmarrja aktualisht.
Ditëve të fundit është raportuar se “Prishtina Parking” i është drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, me kërkesë për një pako financiare prej 700 mijë eurosh për të tejkaluar vështirësitë aktuale.
Ndërkaq, në mbledhjen e sotme, propozimi për ta lënë në diskutim publik organizimin e parkingjeve nga kjo ndërmarrje, u mbështet nga asamblistët.
Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, theksoi rëndësinë e procesit të diskutimit publik.
“Është shumë me rëndësi që përveç vendimit të Gjykatës Supreme, dëgjimi publik ta pasurojë rregulloren me rekomandime të tjera”- u shpreh Retkoceri të martën më 28.04.2026.
Nga ana tjetër, asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla, foli për mënyrën e operimit të ndërmarrjes, duke e cilësuar atë si të paligjshme.
“Tash e një vit kjo ndërmarrje, me fajin e tyre dhe të Komunës, operon pothuajse paligjshëm. Të gjitha gjobat që u janë shqiptuar qytetarëve duhet të merren parasysh se janë vendosur jashtëligjshëm”- deklaroi Sveçla.
Ai shtoi se ka pretendime për mënyrën e shqiptimit të gjobave, duke përmendur edhe komunikime të brendshme që, sipas tij, dëshmojnë për presion ndaj punëtorëve për të rritur numrin e tyre.
Për këtë, ish-kryeshefi i “Prishtina Parking” dhe drejtori aktual i Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, tha se vendimi i Gjykatës Supreme e përcakton qartë kompetencën për bllokimin e automjeteve.
“Gjykata e thot qartë që ‘Prishtina Parking’ nuk ka të drejtë të marrë vendim për bllokimin, por këtë e bën inspektorati dhe Policia. Kjo ka qenë edhe mënyra e operimit deri më tani”- tha Havolli.
Ai shtoi se synimi është hartimi i një rregulloreje funksionale që do të përmirësojë menaxhimin e parkingjeve dhe shërbimin për qytetarët.
“Esenca është që ta nxjerrim një rregullore të mirë, funksionale, e cila ka me e përmirësu qasjen në parking, të banorëve të kryeqytetit dhe gjendjen e parkingjeve për banorët rezidentë, në hapësirat që janë pronë e Komunës së Prishtinës dhe nuk janë subjekt i bashkëpronësisë. Dhe në fund të jetë një ndërmarrje e cila është edhe funksionale, në shërbim të kryeqytetit dhe profitabile”- deklaroi Havolli në Kuvendin Komunal.
Debati u ashpërsua edhe më tej me akuza për keqpërdorim të parasë publike.
Asamblisti i LVV-së, Çlirim Gërbeshi, akuzoi Havollin për shpenzime të larta reprezentative.
“Vetëm një drekë Sokol Havollit i ka kushtuar 1 mijë e 10 euro, por edhe shumë qytetarë e biznese më kanë tregu që Havolli ka shku ka hangër e ka pi me dosta e familjarë, por asnjëherë për punë të “Prishtina Parking”. Vetëm në vitin 2024, ai ka shpenzuar 16 mijë e 600 euro për ushqim dhe pije, është e turpshme në çfarë gjendje ka ardhë sot kjo ndërmarrje”- deklaroi Gërbeshi.
Ai shtoi se këto shpenzime janë të pajustifikueshme, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të ndërmarrjes.
Ndërkaq, Havolli i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke refuzuar t’i komentojë më tej.
Debati për “Prishtina Parking” pritet të vazhdojë edhe në periudhën e diskutimit publik për rregulloren.
Ndërsa lidhur me krizën financiare, KALLXO.com nga data 23.04.2026 ka provuar që të marrë një sqarim zyrtar nga ana e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Nga shtatori i vitit 2025 ka filluar zbatimi i plotë i rregullores për parkingjet publike në kryeqytet, ndërkohë që “Prishtina Parking” është rikthyer me funksionalitet të plotë pas katër muajve prej kur Gjykata Supreme kishte rrëzuar disa nene të Rregulllores për parkingjet.
KALLXO.com ka raportuar se Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykimin e datës 16.04.2025 i ka rrëzuar disa nene të rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.
Këto nene që janë rrëzuar kanë të bëjnë me mënyrën e pagesës së parkingjeve, bllokimin e veturave që nuk kanë kryer pagesën brenda periudhës 10-minutëshe nga momenti i parkimit, lëshimin e biletave për parkim në zona të palicencuara, si dhe marrjen e masave ndëshkimore, përfshirë bartjen/zhvendosjen e mjeteve.
Gjykata shfuqizon Paragrafin e Nenit ku parashihej bllokimi i veturave nga “Prishtina Parking”