Ilustrim: Trafiku rrugor në Prishtinë

Komuna e Prishtinës sqaron planin për tarifën: Do të zbatohet vetëm në zona me trafik të lartë

Komuna e Prishtinës ka vendosur në konsultim publik një draft-rregullore që parasheh vendosjen e një tarife për hyrje në qytet për qytetarët që nuk janë rezidentë të kryeqytetit.

Në një përgjigje për KALLXO.com , Komuna ka bërë të ditur se qëllimi kryesor i kësaj mase është menaxhimi më i mirë i trafikut.

Sipas Komunës, kryeqyteti  përballet çdo ditë me flukse të mëdha automjetesh që hyjnë nga komunat e tjera, duke shkaktuar mbingarkesë të rrugëve, vonesa në qarkullim, rritje të ndotjes së ajrit dhe presion shtesë mbi infrastrukturën publike.

“Qëllimi kryesor i kësaj mase është menaxhimi më i mirë i trafikut dhe krijimi i kushteve për një mobilitet më të qëndrueshëm në Kryeqytet”- thuhet në përgjigjen e Komunës.

Sipas tyre, masa synon të kontribuojë në uljen e ngarkesës së trafikut në zonat më të frekuentuara urbane, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zvogëlimin e emetimeve, inkurajimin e përdorimit të transportit publik dhe formave alternative të lëvizjes, si dhe menaxhimin më efikas të hapësirës publike dhe infrastrukturës rrugore.

Komuna ka bërë të ditur se drafti aktual parasheh që subjekt i tarifës të jenë automjetet që hyjnë në zonën e përcaktuar dhe që nuk janë të regjistruara apo të lidhura me banorë rezidentë të Prishtinës. 

Megjithatë, kategoritë përfundimtare dhe përjashtimet eventuale do të përcaktohen pas përfundimit të konsultimit publik.

Sa i përket identifikimit të rezidentëve dhe jorezidentëve, Komuna thotë se mekanizmat teknikë dhe administrativë do të zhvillohen vetëm në fazën e implementimit, në rast se masa miratohet.

Ende nuk është përcaktuar as zona e saktë ku do të aplikohet tarifa. 

Sipas Komunës, kufijtë territorialë do të caktohen përmes analizave të mobilitetit, konsultimeve publike dhe vendimmarrjes së institucioneve kompetente.

Komuna ka sqaruar gjithashtu se nuk planifikohet që masa të zbatohet në të gjithë territorin e kryeqytetit, por vetëm në zona të caktuara me intensitet të lartë trafiku, sipas praktikave që aplikohen në shumë qytete evropiane.

Lidhur me kohëzgjatjen e mundshme të kësaj mase, Komuna ka theksuar se ende nuk është marrë vendim nëse tarifa do të jetë e përhershme apo e përkohshme.

Ndërkohë, të hyrat e mbledhura nga kjo tarifë planifikohet të investohen në projekte që lidhen me përmirësimin e mobilitetit urban dhe infrastrukturës publike. Sipas Komunës, këto mjete mund të përdoren për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Kryeqytetit, modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, zgjerimin dhe përmirësimin e transportit publik, si dhe projekte të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit dhe cilësisë së jetës në qytet.

Gjatë kësaj jave, Komuna e Prishtinës i ka publikuar propozimet në platformën e konsultimeve publike, ndërsa pas 24 qershorit pritet që ato të procedohen për shqyrtim dhe miratim. Përveç tarifës së propozuar për automjetet, draft-rregullorja parasheh edhe një pagesë prej 1 euro për çdo natë qëndrimi në objektet akomoduese në kryeqytet.

Sipas draft-rregullores, nga obligimi për pagesën e kësaj tarife do të lirohen automjetet e shërbimeve emergjente, përfshirë ambulancat, zjarrfikësit dhe policinë. Përjashtim do të kenë edhe automjetet e institucioneve publike gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, si dhe mjetet e banorëve rezidentë të Prishtinës që posedojnë dokumentacionin përkatës. Përjashtime të tjera mund të përcaktohen me vendim të veçantë nga Kryetari i Komunës.

Dokumentin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Ndërsa, Kryetari , Përparim Rama, ka deklaruar se nuk do të ketë tarifa për askënd në rast se qeveria zhbllokon fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.

Rama: Nëse zhbllokohen fondet e BERZH-it për Unazën e Kryeqytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd

Ky propozim i komunës ka shkaktuar mospajtime nga politikanë e aktivistë në Prishtinë. 

Lëvizja Vetëvendosje si parti opozitare në kryeqytet, kanë deklaruar se Prishtina nuk duhet të ketë rampë hyrëse dhe se problemet e trafikut duhen zgjidhur me planifikim, investime dhe transport publik më të mirë. 

Ndërsa, Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës të tërheqë dispozitat që i konsiderojnë diskriminuese nga kjon draft-rregullore.

Nga janari i këtij viti, Rama paralajmëroi mundësinë e vendosjes së një takse për automjetet që vijnë nga jashtë kryeqytetit, duke e prezentuar këtë si masë për të lehtësuar trafikun dhe për të financuar përfundimin e unazës së kryeqytetit.

Ai theksoi se qytetarëve që vijnë nga jashtë kryeqytetit tashmë u është krijuar alternativa e transportit publik falas, përmes biletës ditore pa pagesë.