Punimet në rrugën "Agim Ramadani", foto; Nora Osmani/ KALLXO.com, 04.06.2026

Nis instalimi i sistemit modern të semaforëve në Prishtinë, Drejtoria e Mobilitetit jep detaje rreth punimeve

Disa punime janë duke u realizuar përgjatë rrugës “Agim Ramadani” në Prishtinë, konkretisht në hapësirën ndarëse mes korsive të rrugëve dhe nëpër trotuaret e asaj zone.

Për këtë, KALLXO.com, më 04.06.2026 ka sjellur pamje nga vendi i ngjarjes si dhe ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për të parë se çfarë është duke u punuar aty.

Punimet në rrugën “Agim Ramadani”, foto; Nora Osmani/ KALLXO.com, 04.06.2026

Drejtori i mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci tregoi se aty janë duke u realizuar punime në kuadër të projektit për furnizimin, instalimin dhe funksionalizimin e sistemeve moderne të semaforëve.

“Në këtë pjesë të rrugës janë duke u realizuar punime në kuadër të projektit për furnizimin, instalimin dhe funksionalizimin e sistemeve moderne të semaforëve në disa udhëkryqe të rëndësishme të Prishtinës. Punimet përfshijnë ndërtimin e themeleve për shtyllat e semaforëve, instalimin e infrastrukturës kabllore, pusetave teknike dhe pajisjeve përcjellëse të nevojshme për funksionimin e sistemit të ri të menaxhimit të trafikut.”– tha Bajqinovci për KALLXO.com më 04.06.2026.

Pëllumb Bajqinovci, Drejtor i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës

Ai shtoi se qëllim i këtij projekti është përmirësimi i sigurisë rrugore dhe menaxhimit të trafikut në zonat me ngarkesë të lartë të qarkullimit.

“Pas përfundimit të punimeve pritet të ketë organizim më efikas të lëvizjeve të automjeteve, rritje të sigurisë për këmbësorët, ulje të konflikteve në udhëkryqe, reduktim të vonesave dhe krijim të kushteve për koordinim më të mirë të semaforëve në rrjetin urban.”– potencoi ai.

Ndërkaq, Bajqinovci tregoi se këto punimë të cilat kanë filluar në muajin maj, afërsisht mbërrijnë vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa të njëjtat, priten që të përfundojnë në fund të muajit qershor.

“Vlera e projektit ne kete segment  afersisht arrine ne 30.000 euro per arsye se projekt eshte vazhdimësi dhe do te vazhdoje edhe ne rruge e pozicione tjera! Punimet po realizohen brenda trupit ekzistues të rrugës dhe trotuareve, me ndërhyrje minimale ndërtimore dhe me obligim që të gjitha sipërfaqet e prekura të rikthehen në gjendjen e tyre fillestare pas përfundimit të punimeve. Punimet në këtë segment kanë filluar me 20 Maj 2026 dhe nëse gjithçka shkon sipas planit do të përfundojnë në fund të muajit Qershor 2026!”– deklaroi tutje Pëllumb Bajqinovci.