Foto: Alsat.mk

Katër të vdekur në një aksident në Maqedoni të Veriut në mes një kamioni me targa të Kosovës dhe një veture

Një kamion me targa të Kosovës dyshohet se është përplasur me një veturë në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë në Maqedoni të Veriut, ku kanë mbetur katër persona të vdekur.

Sipas medias Alsat.mk nga Maqedonia e Veriut, aksidenti tragjik ka ndodhur mbrëmjen e 21.05.2026, ndërsa nga përplasja e fortë e veturës me kamionin, ka bërë që vetura të përfshihet menjëherë nga flakët, ku katër personat që kanë qenë brenda nuk kanë arritur të shpëtojnë.

Nga goditja e fuqishme, edhe kamioni ka dalë jashtë rrugës, duke përfunduar pranë anës së qarkores.

Alsat.mk shkruan se sipas informacioneve paraprake hetimore, drejtuesi i kamionit ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka kaluar mbi gardhin metalik ndarës dhe ka hyrë në korsinë e kundërt, ku është përplasur drejtpërdrejt me veturën “BMW” që drejtohej nga R.V. nga Shkupi.

Përplasja rezultoi fatale, ndërsa menjëherë pas goditjes vetura BMW u përfshi nga flakët dhe u dogj pothuajse tërësisht. Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe dëmtimeve të rënda, identifikimi i viktimave kërkoi orë të tëra hetimesh dhe ekspertize nga ekipet e mjekësisë ligjore.

Sipas Alsat.mk, viktimat dhe drejtuesi i kamionit me targa të Kosovës tashmë janë identifikuar nga autoritetet maqedonase.

Sipas të dhënave të siguruara, mes viktimave kanë qenë edhe dy familjarë, babë e bir. Viktimat janë identifikuar si R.V. (51 vjeç, i lindur në vitin 1975) dhe bashkëudhëtari A.V. (20 vjeç, i lindur në vitin 2005), të dy me mbiemrin Velkov. Bashkë me ta jetën e humbën edhe dy të rinj të tjerë, P.M. (20 vjeç, i lindur në vitin 2005) dhe M.GJ. (20 vjeç, po ashtu i lindur në vitin 2005).

Njëri nga viktimat e aksidentit fatal është Riste Velkov, bariton dhe solist-prvenec i Opera dhe Baleti Nacional i Maqedonisë. Riste Velkov, 51 vjeç, i lindur në vitin 1975 në Shkup, konsiderohej një nga emrat më të njohur të skenës operistike në vend. Velkov humbi jetën në aksidentin tragjik ku mbetën të vdekur edhe tre persona të tjerë, mes tyre i dyshuar edhe djali i tij 20-vjeçar dhe dy të rinj të tjerë.

Alsat.mk ka njoftuar se drejtuesi i kamionit është B.B, 76-vjeçar, i lindur në vitin 1950, i cili drejtonte një kamion të tipit “MAN” me gjysmërimorkio dhe targa kosovare.