Kosova dhe Maqedonia e Veriut me marrëveshje për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL) në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar në Shkup, Memorandum bashkëpunimi i cili parasheh bashkëpunimin ndërshtetëror në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Nga ana e Kosovës marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ndërsa nga Maqedonia e Veriut marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i ACAL-it, Agim Rushiti.

Sipas një njoftimi për media, marrëveshja është nënshkruar gjatë një vizite në agjencinë homologe të Maqedonisë së Veriut, nga një delegacion i kryesuar nga Kryetarja e Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), profesoresha Hasnije Ilazi.

Pjesë e delegacionit ishte edhe anëtarja e KShC-së profesoresha Krenare Pireva Nuçi.

“Kjo marrëveshje do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe avancimin e studimeve akademike në të dyja vendet tona, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë”, thueht më tej.

Sipas AKA-së, memorandumi ka për qëllim nxitjen për zbatimin e standardeve dhe procedurave evropiane (ESG) në sistemet e arsimit të lartë dhe bashkëpunim në plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR);

Në Memorandumin e nënshkruar sot thuhet se “AKA dhe ACAL angazhohen që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave të mira ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e informacionit rreth cilësisë, rezultateve dhe akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe programet që ato ofrojnë; Nxitjen e shkëmbimeve të personelit akademik dhe studentëve që angazhohen në proceset e akreditimit në të dy shtetet (si anëtarë të grupit të vlerësimit të jashtëm); Aplikimin e përbashkët në projekte rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e njohurive rreth rregulloreve, udhëzimeve, manualeve apo çdo akti tjetër ligjor që rregullon fushën e sigurimit cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e stafit për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre”.