Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kontratat një burimore në RTK

Pesë kontrata një burimore i ka lidhur Radiotelevizioni i Kosovës gjatë vitit të kaluar. Këtë e tha drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin  Ahmetxhekaj në mbledhjen e Komisionit për media në të cilën u diskutua raporti vjetor i RTK-së për vitin 2022.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani gjatë kësaj mbledhje pyeti për tri kontrata specifike nëse ato janë një burimore.

Një ndër to është edhe kontrata e negociuar në mes RTK-së dhe “Reuters”.

“Pjesa më e madhe e kontratave të prokurimit ose nuk kanë qenë të parapara ose janë tejkalu projeksionet buxhetore. Sipas informatave që i kam thuhet se në RTK ka kontrata një burimore. A është kontratë një burimore ajo me “Reuters”, ajo për sigurimin fizik të objektit dhe për mirëmbajtjen e ashensorëve. Siç e dini drejtori i KEK është arrestu për lidhjen e kontratave një burimore. Psh, kontrata për mirëmbjatjen e ashensorëve duke ditur që ka kompani për mirëmbajtjen e ashensovërë, nëse nuk është ju lutem demantoni”- tha Shabani.

Drejtori i RTK-së pohoi kontratën e negociuar me “Reuters” ndërsa mohoi sa kontrata për mirëmbajtjen e ashensorëve është një burimore.

Ahmetxhekaj tha se kompania “Reuters” është kompani prestigjioze dhe se dihet ajo çfarë ofron në treg.

Megjithatë në Kosovë egziston më së paku edhe një agjencion tjetër ndërkombëtar i lajmeve po aq i njohur, Associated Press (AP), si dhe agjencione tjera si AFP. Pavarësisht kësaj sipas ligjit kontratat e negociouara parasheh raste specifike kur ato përdoren.

“Kontrata me “Reuters” është një burimore, është një kompani prestigjioze ndërkombëtare nuk do ishtë mirë të hapim debat për një kompani të tillë sepse vet prestigji i saj thotë kush është ajo. Ajo  është unike në atë se çfarë ofron në treg. Ka qenë edhte koha kur ka fillu lufta në Ukrainë. Kemi marrë një ofertë  që e kemi pranu. Kemi marrë pastaj një ofertë edhe AP por në mungesë të financave nuk kemi mujt ta pranojmë. Për “Reuters” është e rëndësishëm të ceket edhe arkiva e saj për luftën të Kosvoë. Sepse kur kemi të realizojmë dokumentare të ndryshme për luftën në Kosovë duhet të kemi arkivë”- arsyetoi Ahmetxhekaj. 

Arkivë nga lufta e Kosovës kanë edhe Associated Press, agjencion ky i cili e ka mbuluar luftën shpesh me staf më të madh se Reuters dhe nuk kanë pasur rast të konkurojnë në kontratën një burimore që RTK ia ka mundësuar vetëm “Reuters”-it në shumën mbi 100 mijë eurëshe, saktësisht 171 mijë euro.

Po ashtu, lajmet nga lufta në Ukrainë, kanë qenë në dispozicion pa të holla prej BBC-së, ashtu siq i kanë mbuluar mediat tjera në Kosovë, pa paguar asnjë agjencion ndërkombëtar.

Drejtori i RTK-së në fjalën e tij tregoi edhe për kontratat e tjera një burimore që ka lidhur ky institucion.

“Janë pesë kontrata një burimore dhe të negociuara është edhe në direktivën e Komisionit Evropian por edhe në legjislacionin e brendshëm që RTK duke pas parasysh natyrën e saj ka të drejtë të ketë kontrata të tilla. Nëse marrim shembull, nëse duam të drejtat për transmetimin e ndeshjeve nuk mundësh të hapësh tender sepse dihet që veç UEFA i ofron këto të drejta… Vitin e kaluar kemi lidhur edhe dy kontrata të tillë të transmetimit të dy ndeshjeve të Kosovës. Me Googlen po ashtu për emaila. Për herë të parë kemi emaila të sigruara. Ne tani e kemi zyrtarizu bashkëpunim me ta për shkak të ofertës që e kemi pranu nga ta, kemi pasur kontratë me shërbime edhe për një ndeshje të boksit. Kontrata me ashensor nuk është e vërtetë që është një burimore”- deklaroi ai.

Ndërkaq deputeti Shabani nga PDK pati edhe kritika dhe pyetje të tjera. Ai tha se borxhet e paraqitura në raportin vjetor të RTK-së janë ndryshe nga ato që janë prezentuar në mbledhje.

“Një kontradiktë shumë e madhe, thatë se nëse ka qenë vlera e borxhit 1.6 milionë euro thatë që 300 mijë euro i keni la borxh kurse në raport në faqen 3 thuhet se në anën tjetër ka arrit të shlyej borxhe 160 mijë euro, 140 mijë është ndryshimi prej asaj që the gojarisht. Ndërsa në raportin e drejtorit thuhet se është arrit nga 1.6 milionë të mbesin 1.4 milionë euro borxhe, këtu po ndryshon 40 mijë euro ka dispërputhje me këto të dhëna”- tha ai.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj i jepi të drejt deputetit Shabani për çështjen e borxheve.

“Tek çështja e borxheve keni të drejtë por keni parasysh që raportin e kemi hartu dy muaj më parë. Pra në kohën kur kemi raportu kemi pas një barazim me Telekomin e Kosovës në vlerë 86 mijë euro, ai borxh është shlyer kemi pasur edhe disa para që janë marrë nga përmbaruesi. Borxhin total e kemi 1.3 milionë euro”- tha ai.

Deputeti Shabani gjatë mbledhjes shtroi çështjen e emërimit, drejtor të Radios, Arsim Halilin. Ai e quajti recidivsit Halilin për shkelje profesionale. Për Halilin Këshilli i Mediave të Shkruara kishte marrë vendim që e kishte thyer etikën duke përdorur gjuhë homofobike në rrjete sociale në 2016 për çka ai ishte degraduar në pozitë 

“Arsim Halili ka qenë recidivist duke shkelur etikën profesionale dhe në fund e keni shbërplyer me pozitë të drejtorit të radios. A keni ndonjë borxh ndaj tij? “- e pyeti Shabani, Ahmetxhekajn.

Halili ishte degraduar në pozitë nga komisioni disiplinor i RTK-së në vitin 2016 kur kishte bërë komente homofobike në profilin e tij të Facebook. Për këto komente Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) kishte lëshuar vendim duke thënë që “Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”.

Arsim Halili emërohet drejtor i Radio Kosovës