Komuna e Prishtinës deklarohet për sanimet në rrugën 'Agim Ramadani'

KALLXO.com raportoi para disa minutash se në disa pjesë të rrugës “Agim Ramadani” në kryqytet kanë filluar prapë intervenime në asfalt, por që nuk dihej se për çfarë punimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kjo rrugë ishte asfaltuar vitin e kaluar në kuadër të projektit për rikonstrumin e kësaj rruge.

Muhamed Emra, zyrtar i lartë për ndërtim urban në kuadër të Komunës së Prishtinës në një prononcim për KALLXO.com ka sqaruar se riasfalltimi i kësaj rruge po bëhet pasi që kanë urdhëruar operatorin që të bëjë rishtresimin, për shkak se në këtë pjese janë shfaqur disa vrima.

Kurse, sipas tij, në pjesen tjetër në disa segmente të rrugës janë shfaqur disa defekte në shtresën e fundit të trupit qarkullues të rrugës.

“Në cilësi të menaxherit të kontratës ju informojm se riasfalltimi i rrugës Agim Ramadani është duke u bërë në pjesën prej udhëkryqit të rrugës Qamil Hoxha në drejtim të Teatrit Kombetar me një gjatësi rreth L=50.0 m, kemi urdhëruar operatorin që të bëjë rishtresimin për shkak se në këtë pjesë është vërejtur gjatë inspektimeve nga ana e organit mbikëqyres, konkretisht në udhëkryq janë shfaqur disa vrima në sipërfaqe rreth 3.0m2 dhe në mënyrë që mos të kemi harnime në shtegun e qarkullimit në rrugë kemi vendosur që të bëhet rishtresimi i trupit të rrugës në gjatësin e cekur më lartë, ndërsa në pjesën tjetër në disa segmente të rrugës  janë shfaqur disa defekte në shtresën e fundit të trupit qarkullues të rrugës”, ka thënë Emra.

Ai ka njoftuar se Komuna e Prishtinës nuk do të paguaj kosto shtesë për sanime të dëmtimeve që janë shfaqur.

“Ende nuk është bërë mbylla e kontratës e që kanë bazë të garancionit të gjitha sanimet e dëmtimeve që paraqiten mbrenda periudhes 5 vjeçare operatori RSM Company është e obliguar në bazë të kushteve të veçanta të kontratës që të bëjë sanimet pa kosto shtesë. Meqenëse jemi në prag të mbylljes së kontratës ende nuk është bërë mbyllja e kontratës dhe në bazë të garancionit të gjitha sanimet e dëmtimeve që paraqiten brenda periudhës 5 vjeçare operatori RSM Company, është e obliguar në bazë të kushteve të veçanta të kontratës që të bëjë sanimet pa kosto shtesë. D.m.th Komuna e Prishtinës nuk do të paguaj kosto shtesë për sanime të dëmtimeve që janë shfaqur”, ka thënë tutje ai.

“Asfalltimi i këtij shtegut është bërë vitin e kaluar gjatë muajit gusht konktretisht pjesa tjetër në fund të muajit nëntor të vitit 2020 dhe si pasojë e hapësirave të pamjaftueshme për qarkullimin e automjeteve motorike duke e pasur parasysh që rrugë tjetër alternative nuk kemi pasur për qarkullim të automjeteve, jemi detyruar që menjëherë të lëshohet në qarkullim kjo rrugë, dhe me ç ‘rast gjatë qarkullimit të mjeteve motorike me peshë të rënda gjatë frenimit në udhëkryq të rrugës ‘Qamil Hoxha’ ka ardh deri te dëmtimi apo segregimi i shtresës së rrugës”, thuhet tutje në përgjigjen e Muhamed Emra, zyrtar i lartë për ndërtim urban në kuadër të Komunës së Prishtinës.

KALLXO.com para publikimit të artikullit paraprak kishte dërguar pyetje edhe në drejtim të kompanisë kontraktuese por që nuk ka marrë ende përgjigje.

KALLXO.com raportoi sot se në disa pjesë të rrugës “Agim Ramadani” në kryqytet kanë filluar prapë intervenime në asfalt, anipse, kjo rrugë ishte asfaltuar vitin e kaluar në kuadër të projektit për rikonstrumin e kësaj rruge.

Në redaksinë e KALLXO.com sot kanë arritur disa fotografi dhe video në të cilat shihen se disa pjesë të asfaltit janë prerë.

Gjithashtu në pamje shihen edhe disa punëtorë duke intervenuar në rrugë. Qytetari që ka dërguar fotografitë dhe videot ka thënë se shmangia e asfaltit të prerë nga vozitësit po krijon edhe kolona.

Në këtë rrugë po planifikohet edhe ndërtimi i tunelit i cili pritet të lidh pjesën e vjetër të qytetit me qendrën.