Policia dhe Inpektoret e Komunes se Prishtines ne rrugen "Bill Klinton" tuke ndaluar automjetet te futen ne qytet 31 janar 2018
GAP kundërshton taksën për hyrje në Prishtinë, kërkon rishikimin e Draft-Rregullores
Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës të tërheqë dispozitat që i konsiderojnë diskriminuese nga Draft-Rregullorja për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale, si dhe të organizojë konsultim publik të veçantë dhe të strukturuar për këtë dokument.
Komuna e Prishtinës ka vendosur në konsultim publik plotësim-ndryshimin e kësaj rregulloreje, në të cilin parashihet vendosja e një takse për hyrje në qytet për qytetarë që nuk janë rezidentë në kryeqytet.
Ndërsa, përmes një reagimi publik, dy organizatat kanë shprehur shqetësimin se disa nga dispozitat e draftit rrezikojnë të bien ndesh me parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë në trajtimin e qytetarëve dhe bizneseve.
Sipas GAP dhe KLGI, drafti parasheh vendosjen e tarifave komunale për veprimtari ekonomike pa një metodologji të qartë të llogaritjes dhe pa analizë të ndikimit ekonomik. Po ashtu, organizatat kundërshtojnë propozimin për vendosjen e një tarife prej 10 eurosh për hyrjen në territorin e Kryeqytetit për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës.
“Këto masa krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet kategorive të ndryshme të qytetarëve dhe bizneseve dhe rrezikojnë të cenojnë parimin e mosdiskriminimit”- thuhet në reagim.
Dy institutet rikujtojnë se Komuna e Prishtinës është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë për shkak të statusit të Kryeqytetit, duke marrë rreth 20 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit. Sipas tyre, kjo mbështetje financiare synon të përballojë ngarkesën shtesë administrative dhe funksionale, por njëkohësisht të krijojë kushte më të mira për zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Për këtë arsye, GAP dhe KLGI vlerësojnë se politikat komunale që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët, bizneset dhe shërbimet publike duhet të bazohen në parimin e mosdiskriminimit dhe të shmangin krijimin e barrës së pabarabartë për kategori të caktuara.
Po ashtu, ato kërkojnë që rregullorja t’i nënshtrohet një procesi të ndarë konsultimi publik me grupet dhe sektorët e prekur, duke argumentuar se një dokument me ndikim kaq të gjerë nuk mund të trajtohet përmes një konsultimi të përgjithshëm formal.
GAP dhe KLGI kërkojnë gjithashtu që Komuna të ofrojë arsyetim të detajuar dhe analizë të ndikimit për secilin ndryshim të propozuar, përfshirë kriteret e përzgjedhjes së kategorive, nivelin e tarifave dhe efektet e mundshme në konkurrencë, punësim dhe klimën e të bërit biznes në Kryeqytet.
Gjatë kësaj jave, Komuna e Prishtinës i ka publikuar propozimet në platformën e konsultimeve publike, ndërsa pas 24 qershorit pritet që ato të procedohen për shqyrtim dhe miratim. Përveç tarifës së propozuar për automjetet, draft-rregullorja parasheh edhe një pagesë prej 1 euro për çdo natë qëndrimi në objektet akomoduese në kryeqytet.
Sipas draft-rregullores, nga obligimi për pagesën e kësaj tarife do të lirohen automjetet e shërbimeve emergjente, përfshirë ambulancat, zjarrfikësit dhe policinë. Përjashtim do të kenë edhe automjetet e institucioneve publike gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, si dhe mjetet e banorëve rezidentë të Prishtinës që posedojnë dokumentacionin përkatës. Përjashtime të tjera mund të përcaktohen me vendim të veçantë nga Kryetari i Komunës.
Dokumentin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Ndërsa, Kryetari , Përparim Rama, ka deklaruar se nuk do të ketë tarifa për askënd në rast se qeveria zhbllokon fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.
Sipas tij, është propozuar që tarifa të jetë 1 ose 2 euro për automjetet e paregjistruara në Prishtinë, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që hyjnë në qendër të qytetit.
Ai deklaroi se arsyeja pse po shqyrtohet kjo mundësi lidhet me nevojën për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit, projekt që, sipas tij, do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës.
Rama: Nëse zhbllokohen fondet e BERZH-it për Unazën e Kryeqytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd
Nga janari i këtij viti, Rama paralajmëroi mundësinë e vendosjes së një takse për automjetet që vijnë nga jashtë kryeqytetit, duke e prezentuar këtë si masë për të lehtësuar trafikun dhe për të financuar përfundimin e unazës së kryeqytetit.
Ai theksoi se qytetarëve që vijnë nga jashtë kryeqytetit tashmë u është krijuar alternativa e transportit publik falas, përmes biletës ditore pa pagesë.