KOK; Foto në Facebook

KOK kërkon sqarime nga UEFA për heqjen e flamurit të Kosovës në Kongresin e mbajtur në Beograd

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku shihej djegia e flamurit të Kosovës në Beograd të Serbisë.

Përmes një reagimi, ky Komitet ka kërkuar nga UEFA që të marrë masa ndaj Serbisë, edhe për heqjen e flamurit të shtetit nga Kongresi i mbajtur në Kryeqytetin serb.

“KOK kërkon sqarime nga organizatori i Kongresit, në këtë rast UEFA, për heqjen dhe djegien e flamurit, e njëkohësisht kërkojmë marrjen e masave të mikpritësit të këtij Kongresi, i cili sipas pamjeve të publikuara edhe gjatë punimeve të Kongresit u përfshi në aktet e heqjes së flamurit.” – thuhet në reagimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, më 04.04.2025.

“Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj simboleve shtetërore të Kosovës, por edhe ndaj vlerave themelore të sportit: respektit, barazisë dhe përfshirjes.” – thuhet në reagim.

UEFA mbajti Kongresin e 49-të në Beograd dhe delegacioni i Kosovës ka qenë i kryesuar nga kryetari i Federatës së Futbollit Agim Ademi dhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm Markus Weidner.

FFK ka paralajmëruar notë proteste për rastin.

Përmes një komunikate për media FFK, të enjten, më 03.04.2025, ka thënë se persona të caktuar kanë mundur të largojnë nga tavolina flamurin e shtetit të Kosovës, por thuhet që kjo ka mundur të ndodhë pas përfundimit të mbledhjes, “kur presidenti i FFK-së Agim Ademi nuk ka qenë më në sallë”.

“Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur Presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror.” – thuhet në komunikatën e FFK-së.

FFK: Kosova mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Beograd me simbolet shtetërore

Ndaj ngjarjes reagoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Largimi i flamurit të Republikës së Kosovës në Kongresin e UEFA-së në Beograd është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm. Kosova është shtet i pavarur, që përfaqësohet në botë përmes simboleve shtetërore. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA-së. Largimi i simboleve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë nuk mund të kalojë pa reagim të mirëfilltë ndërkombëtar.” – thuhej në reagimin e ministrit Çeku.