Parlamentin Evropian Mrena, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian pritet të votojë raportin për Kosovën

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Europian pritet të votojë raportin për Kosovën të përpiluar nga raportuesi për Kosovën, Riho Terras, në të cilin ndër të tjerash ai ka vlerësuar se 2025-ta ishte një vit i humbur për Kosovën për shkak të bllokadës politike dhe mosfunksionimit të institucioneve pas zgjedhjeve.

draftin e raportit për vitin 2025, Terras e mirëpret formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por kritikon bllokadën e gjatë politike gjatë vitit të kaluar si dhe dështimin për zgjedhjen e Presidentit që çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“[Raporti] Mirëpret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës më 12 shkurt 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se një viti ngërç politik; megjithatë shpreh keqardhje për procesin e paralizuar politik gjatë vitit 2025 që rezultoi në një ‘vit të humbur’ për Kosovën..”- shkruan në raport.

Dokumenti thekson gjithashtu se Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Në raport thuhet se “shpreh keqardhje gjithashtu për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një President të ri brenda afatit kushtetues, duke e shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja”.

Raporti përsërit mbështetjen për rrugën europiane të Kosovës dhe për aplikimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Mirëpo, në një paragraf tjetër vlerësohet se masat ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023 kanë pasur një ndikim shumë negativ mbi përparimin e Kosovës drejt integrimit europian.

Në draft-raport ritheksohet bindja se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën që të lëvizin drejt njohjes për të mundësuar përparim të barabartë në procesin e integrimit.

Në draft-raport kërkohet gjithashtu përshpejtimi i reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe lirive themelore. Dokumenti shpreh shqetësim për progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe vë në dukje rënien e Kosovës në renditjen globale për korrupsionin.

Një pjesë e raportit i kushtohet edhe lirisë së mediave. Edhe pse theksohet se Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, shprehet shqetësim për rënien e vendit në indeksin global.

“[Raporti] Vëren se Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, por shpreh keqardhje për mungesën e progresit në sigurimin e lirisë së shprehjes; shpreh gjithashtu keqardhje që renditja e Kosovës për lirinë e mediave ka rënë me 24 vende, në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave për vitin 2025” – thuhet në raport.

Dokumenti shpreh shqetësim edhe për sigurinë e gazetarëve dhe kërkon reagim më të fortë institucional ndaj kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre.

“Përsërit shqetësimin për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe bën thirrje për reagim më të mirë nga prokuroria”- thuhet në draft-raport.

Në këtë draft ritheksohet se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet pjesë kyçe e perspektivës evropiane të Kosovës. Terras thekson se pret angazhim konstruktiv nga të dyja palët dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

“U bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, si dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, dhe të shmangin veprimet e njëanshme që mund të minojnë procesin e dialogut”- shkruan tutje.

Po ashtu kërkohet që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023 të sillen para drejtësisë.

Në draft-raport potencohet se presin që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i sjellë shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist të vitit 2023 në Banjskë”, ndërsa kritikohet fakti se Serbia ende nuk ka ndjekur penalisht autorët, përfshirë Milan Radoiçiq.

Në draft-raport është vlerësuar se ka përparime në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike e mbrojtje të të drejtave themelore, por sfidë janë cilësuar reforma gjyqësore, liria e medias, efikasiteti i administratës publike dhe digjitalizimi i shërbimeve publike.

Poashtu, draft-raporti rithekson mbështetjen e plotë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për planin strategjik të vendit për t’u bashkuar në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Terras në draft-raport, vlerëson përputhjen e vazhdueshme të plotë të Kosovës me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë zbatimin e vazhdueshëm të masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe dënimin e qartë të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Poashtu, mirëpret pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025, si dhe marrjen e detyrës nga katër kryetarët e rinj serbë të komunave, të cilët zëvendësuan paraardhësit e tyre shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Pas një viti bllokadë institucionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, më në fund Kosova arriti të formojë Kuvendin dhe Qeverinë me rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Mirëpo, bllokada politike ka filluar sërish në mars me dështimin për zgjedhjen e Presidentit. Si rezultat vendi është në proces të zgjedhjeve të reja që do të mbahen më 07.06.2026.