Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Klinaku i OVL UÇK-së fton qytetarët t’i bashkëngjiten protestës kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ftuar qytetarët që t’i bashkëngjiten protestës kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që kushdo që mundet, të paraqitet në protestën e organizuar më datën 29 nëntor 2023 te hotel “Sirius” në Prishtinë nga ora 14:00.

Ai ka tha se para më shumë se dy muajve, më 16 e 17 shtator 2023, atij dhe dy shokëve të tij të kryesisë së OVL UÇK-së dhe një shoku tjetër të Këshillit Drejtues u ishte refuzuar vizita në Hagë me arsyetimin se terminet janë të zëna në këto data.

Sipas Klinakut, e vërteta është se nuk ishte ashtu, duke thënë se për këto shkelje ai ka folur më pas edhe në një emision në një nga televizionet e vendit.

“Do të thotë që kufizimet ose ndalesat që bëhen nuk janë të kohëve të fundit, por janë më të hershme, dhe kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova nuk është marrë fare me këto shkelje flagrante” – tha Klinaku.

Sot, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet brenda Qendrës së Paraburgimit.

Sipas parashtresës së ZPS-së, të njëjtit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar kështu identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

Në këtë parashtresë theksohet se hetimet e ZPS-së kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procedimin, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve nga të akuzuarit se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe planifikimin e qasjeve ndaj tyre.

ZPS-ja ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’i pezullohen të gjitha komunikimet – duke përfshirë vizitat (qoftë personalisht ose me Zoom), telefonata dhe komunikime me shkrim derisa paneli gjyqësor të ketë mundësinë të vendosë mbi bazueshmërinë e kësaj kërkese.

Ndërsa komunikimet jo të privilegjuara të tre të akuzuarve kërkohet që të përkufizohen në një grup të caktuar të familjes së ngushtë dhe zyrtarët konsullorë që do të propozohen nga tre të akuzuarit dhe do të miratohen paraprakisht nga paneli gjyqësor pas parashtresave të ZPS-së. Në komunikimet jo të privilegjuara përfshihen kontaktet mediatike, konsullore dhe të gjitha komunikimet e tjera të kësaj natyre.

Tutje, ZPS-ja ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv (nga një folës në gjuhën shqipe) të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.

Ndërsa vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve mbrojtës ndërsa të akuzuarit të ndahen urgjentisht nga të paraburgosurit e tjerë që janë aktualisht në Qendrën e Paraburgimit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga paneli gjyqësor.