Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Këta janë policët që u suspenduan pasi dyshohet se u shoqëruan me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza

Policët D. Jashari, V. Fetahu, të dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Njësinë e Kundër Terrorizmit, dhe B. Krasniqi, polic në Njësinë Speciale Operative, janë suspenduar nga detyra me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës në orët e mbrëmjes së sotme.

Ata po dyshohet se janë parë në shoqëri të një personi të cilin IPK e ka cilësuar si me të kaluar kriminale dhe person të dyshuar për nxitjen e vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës më 30 gusht të vitit 2007.

KALLXO.com mëson se aktualisht Inspektorati Policor i Kosovës është duke analizuar të dhënat në lidhje me një video që është publikuar në media dhe duke parë natyrën e rastit ka ndërmarrë edhe veprimet e para për të suspenduar fillimisht policët në mënyrë që të mos ndikojnë në rast gjatë kohës sa janë në detyrë.

Personi për të cilin pretendohet se ka qenë në tavolinë të njëjtë duke darkuar me policët, KALLXO.com mëson se është një nga personat i cili ishte përmendur në aktakuzën e Prokurorisë për vrasjen e Triumf Rizës në vitin 2007.

Polici i Kosovës, Triumf Riza, është vrarë më  30 gusht të vitit 2007 në Prishtinë.

I akuzuar për nxitje të vrasjes së tij është i pandehuri Enver Sekiraqa.

Ndërsa, i dënuar për vrasjen e Rizës është Arben Berisha.