IPK rekomandon suspendimin e 3 policëve, dyshohet se u shoqëruan me të akuzuarin për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë, të cilët sipas videoje të publikuar shihen në shoqërim të personave me të kaluar  kriminale.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se dyshohet që zyrtarët policorë janë parë në shoqërim me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.

Me këtë rast IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë.

“Lidhur me rastin është informuar Prokuroria e Shtetit, ndërkaq në interes të zhvillimit të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së” – thuhet në njoftim.

Polici i Kosovës, Triumf Riza, është vrarë më  30 gusht të vitit 2007 në Prishtinë.

I akuzuar për nxitje të vrasjes së tij është i pandehuri Enver Sekiraqa.

Ndërsa, i dënuar për vrasjen e Rizës është Arben Berisha.