Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën ‘Liza’

Të dyshuarit lidhur me rastin e vrasjes së Triumf Rizës, Ilir Abdullahu, i është vazhduar edhe për dy muaj masa e paraburgimit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatë së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit I.A. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 04.04.2024 ka marrë vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit I.A .i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.” – ka thënë Gashi në përgjigjen e saj.

Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës pasi kishte dhënë 100 mijë euro dorëzani.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, më 03.11. 2023 e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun, i dyshuar për vrasjen e policit Triumf Riza. Ky vendim është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Bashkim Hyseni – kryetar i kolegjit, Afërdita Bytyçi dhe Vaton Durguti – anëtarë.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhej se në ankesën e Prokurorisë Speciale pretendohet se aktvendimi për masën e dorëzanisë është në shkelje të dispozitave të procedurës penale. Kjo për faktin se për caktimin e kësaj mase duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar dhe se baza e vetme është rreziku i ikjes, andaj Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të njëjtit.

Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se ankesa e PSRK-së është e bazuar dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.

Andaj edhe zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në vlerë prej 100 mijë euro për të pandehurin nuk është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se i pandehuri Abdullahu duhet të kthehet në paraburgim.

Gjykata Supreme e Kosovës e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit që Ilir Abdullahun ta kthejë në paraburgim.

Gjykata Supreme e kishte refuzuar ankesën e avokatit të Abdullahut, Ramë Dreshaj, i cili kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që të dyshuarin ta kthejë në masën e paraburgimit.

Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”, dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, që kishte ndodhur më 30.08.2007 në Prishtinë, ku i vrarë kishte mbetur Triumf Riza, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Për vrasjen e Triumf Rizës është dënuar Arben Berisha, kurse Enver Sekiraqa është duke u gjykuar ende për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.