Mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së, 22.05.2025, Foto: KALLXO.com

Këshilli drejtues i UP-së miratoi Rregulloren e re për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik

Në mbledhjen e Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës të enjten, më 22.05.2025, me 7 vota për u miratua Rregullorja e re për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik të UP-së.

Deri më sot, UP ka pasur në fuqi Rregulloren për të ardhurat personale të personelit akademik, shtesat sipas funksioneve dhe kompensimet tjera e cila daton nga 12.10.2023.

Sipas Rregullores së re, profesorët e rregullt, profesorët e asociuar, profesorët asistentë dhe ligjëruesit kanë nga 6 orë të mësimit në javë, kurse asistentët nga 10 orë.

Paga bazë e personelit akademik do të ndryshojë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik.

Rritja e parë e pagave, sipas këtij vendimi, ndodhi në janar 2025 në vlerë 55 euro, kurse rritja e dytë e pagave po ashtu në vlerë 55 euro do të ndodhë në korrik 2025.

Në bazë të nenit 7 të Rregullores së re, profesori i rregullt i UP-së në janar 2025 ka marrë pagë 1,419 euro, kurse në korrik 2025 do ta ketë 1,474 euro; profesori i asociuar në janar 2025 ka marrë pagë 1,309 euro, në korrik 2025 do të marrë 1,364 euro; profesori asistent në janar 2025 ka marrë pagë 1,199 euro, në korrik 2025 do të marrë 1,254 euro; ligjëruesi në janar 2025 ka marrë pagë 1,001 euro, kurse në korrik 2025 do të marrë 1,056 euro, si dhe asistenti i UP-së në janar 2025 ka marrë pagë 847 euro, në korrik 2025 do të marrë 902 euro.

Albana Berisha-Qehaja, prorektore për Buxhet dhe Financa në UP, si dhe kryesuese e komisionit që ka hartuar Rregulloren e re për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik të UP-së, tha se Rregullorja e kaluar ka pasur disa shtojca për kompensime të cilat nuk kanë mundur të realizohen gjatë punës për shkak të disa kufizimeve ligjore nga Ligji për Zyrtarë Publikë dhe Ligji për Paga.

Kurse, Rifat Krasniqi, anëtar në Këshillin drejtues të UP-së dhe anëtar në komisionin që ka hartuar Rregulloren e re, gjatë mbledhjes së Këshillit drejtues nuk u pajtua me angazhimin dhe ngarkesën e asistentit të UP-së siç e përcakton Rregullorja e re.

Sipas Krasniqit, është ngarkesë që asistentët t’i mbajnë 10 orë sipas normës dhe 6 orë shtesë në javë. Ai kërkoi që asistentët t’i mbajnë të paktën 14 orë gjithsej.

“Unë propozoj që ky Këshill me reflektu dhe me mbështetë kërkesën time që ngarkesa për orë shtesë në javë të jetë 4 orë për asistentin” – tha Krasniqi.

Mirëpo, Këshilli drejtues i UP-së nuk e mbështeti kërkesën e Krasniqit.

Rregullorja e re për të ardhurat personale dhe kompensimin e personelit akademik në UP përcakton që kushti për shpalljen e konkursit për vendet e reja në UP për mësimdhënës, asistent, lektor, korepetitor është plotësimi i së paku 50% të orëve të parapara me normë të plotë në lëndët obligative, kurse pjesa tjetër në lëndët zgjedhore ose në praktikën klinike në Fakultetin e Mjekësisë.

Kurse, me Rregulloren e vjetër të datës 12.10.2023 kishte qenë mundësia e shpalljes së konkursit në Fakultetin e Mjekësisë edhe në rastet kur fondi i orëve në fushën e caktuar nuk mund të plotësohej me orë të ligjëratave, por fondi plotësohej prej së paku 8 orë ligjërata, ndërsa orët tjera mund të plotësoheshin me ushtrime. 

Në këtë rast ka qenë së paku 50% e ligjëratave, përkatësisht 4 orë i takonin lëndëve obligative, kurse pjesa tjetër mbulohej me ligjërata nga lëndët zgjedhore e në Fakultetin e Mjekësisë përfshiheshin edhe orët nga praktika klinike.

Më parë pjesë e kësaj Rregulloreje ka qenë edhe formimi i grupeve të studimit dhe përcaktimi i numrit të studentëve në secilin grup. Mirëpo, tani sipas nenit 16 të Rregullores së re, për shkak të implikimeve financiare dhe kompensimit të orëve mësimore, formimi i grupeve të studimit dhe përcaktimi i numrit të studentëve për secilin grup miratohen nga Këshilli drejtues me propozim të Senatit të UP-së.

Më 31.01.2025, KALLXO.com ka raportuar për organizimin e ligjëratave në tre grupe të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në UP që ishte diskutuar në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 29.01.2025.

Kërkesa për formimin e grupit të tretë të studentëve për ligjërata ishte paraqitur nga Fakulteti i Mjekësisë në Senatin e UP-së më 2024, kurse në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 29.01.2025 nuk u mor vendim për këtë kërkesë, pasi rektori Arben Hajrullahu vlerësoi se menaxhmenti i Fakultetit mund të vendosë për këtë çështje përderisa nuk ka implikim buxhetor.

Në Rregulloren e re është shtuar edhe kompensimi për profesorët që kryejnë tri monitorime gjatë një viti akademik të temave të diplomës të studimeve master.

“Llogaritja në lartësinë prej 8% të pagës bazë të Profesorit asistent, sipas klasës dhe koeficientit si në Shtojca Nr. 8 të Ligjit Nr. 08/L-196, apo 11.4×110 euro. Kompensimi bëhet për tri (3) mentorime gjatë një viti akademik, pasi të jetë plotësuar numri i mentorimeve sipas normës së rregullt. Norma e mentorimeve të punimeve Master është 3 punime për vit akademik. Kompensimi realizohet në shkurt, korrik-shtator” – thuhet në Rregulloren e re të UP-së.

Në këtë mbledhje të Këshillit drejtues u miratua edhe kërkesa e menaxhmentit të UP-së për hapjen e konkurseve për disa pozita të reja në administratën e UP-së, si dhe u miratua unanimisht që t’i ndajnë 10 bursa me vlerë 500 euro për 8 muaj për studentë ndërkombëtarë që studiojnë në nivelin Bachelor.

Të pranishëm në mbledhjen e Këshillit drejtues të UP-së të datës 22.05.2025 ishin: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela-Turjaka (zëvendëskryesuese) dhe anëtarët – Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi. Mungoi anëtari Naser Kabashi.