Foto: Policia e Kosovës

Kamenicë, kërkohet paraburgim ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorim të pozitës dhe vjedhje pylli

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Rr.G., A.Sh. dhe H.Sh.

Rr.G., roje pylli në Kamenicë, po dyshohet për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas kërkesës, i njëjti dyshohet se më 9 shtator 2023, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e veta, duke lëshuar dy fletë-përcjellje, në emër të dy pronarëve të dy kompanive, me qëllim të sigurimit të alibisë për transportimin e druve.

Në njoftim thuhet se drutë ishin ngarkuar në një parcelë tjetër, e që janë në kundërshtim me lejen për prerjen e druve të lëshuar nga Autoriteti Pyjor në Kamenicë, ashtu që pas kontrollit është vërtetuar se masa drusore në sasi prej 26 m3, e cila ishte duke u transportuar nuk përkonte me fletë-përcjelljet.

Ndërsa, të pandehurit A.Sh. dhe H.Sh. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vjedhja e pyllit.

“Ata dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me dashje kanë bërë prerjen e malit, me qëllim të vjedhjes së masës drunore në sasi prej 26 m3, e që dyshohet se përmes rojës së pyllit, tani të pandehurit kanë arritur të siguronin dokumentacionin për transportimin e masës drunore”- thuhet në njoftim.