Incident mes të burgosurve në Burgun e Sigurisë së Lartë

Një incident është shënuar gjatë ditës së djeshme mes dy të burgosurve në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

I dënuar për vrasjen e policit Triumf Riza, Arben Berisha dhe i burgosuri tjetër O.Karpuzi, dyshohet se janë të përfshirë në incidentin i cili siç mëson KALLXO.com përfundoi pa lëndime.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se dy të burgosurit fillimisht ishin takuar në dhomën e vizitave familjare.

Vizitat zhvilloheshin ne kabina të veçanta dhe monitorohen edhe nga zyrtarët korrektues.

Pasi kishin kryer vizitat, siç tregojnë burimet e KALLXO.com, gjatë kohës sa po bëheshin kontrollet te detektorët e sigurisë për të hyrë brenda pavijoneve të Burgut, dyshohet se ishte i burgosuri O.Karpuzi që kishte shtyrë Arben Berishën.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i zyrtarëve korrektues.

Tutje siç mëson KALLXO.com, gjatë intervistimit të njëjtit kanë thënë se e gjitha kishte nisur fillimisht për një ndeshje futbolli që dy të burgosurit kishin zhvilluar dhe aty kishin pasur disa fjalosje.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Nga SHKK kanë konfirmuar incidentin, duke thënë se rasti është trajtuar dhe se ndërhyrja e stafit ka qenë e menjëhershme.

“Ndaj të burgosurit është hapur rast disiplinor”- thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Për vrasjen e policit Triumf Riza, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vjet burgim.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim. Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.

Në procesin e tij një varg personalitetesh VIP kishin dëshmuar për ngjarjet rreth Rizës dhe Sekiraqës.

Në një intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” pak para dorëzimit në EULEX, Sekiraqa kishte përmendur disa figura të UÇK-së.

Në rigjykimin e Enver Sekiraqës, në seancën e cila ishte mbajtur më 23 janar 2023, Arben Berisha kishte rrëfyer momentin se si e kishte vrarë Triumf Rizën.

Sipas aktakuzës, Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht të vitit 2007.

Sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte qëlluar me 11 plumba.