I akuzuari, Enver Sekiraqa - 11 korrik 2023, Foto: Aulona Alaj/ KALLXO.com

Rigjykimi i Enver Sekiraqës, dëshmitari Gjon Kqira: Triumf Riza dhe Arben Selmanaj kanë thënë se e kemi rrahë Enverin dhe kërkojmë pajtim

Në seancën e rigjykimit të Enver Sekiraqës më 21.03.2024 ka dëshmuar Gjon Kqira, i ftuar për të dëshmuar nga avokatja e të pandehurit, Kosovare Kelmendi.

Avokatja e ka ftuar Kqirën të dëshmojë rreth një incidenti që kishte ndodhur në “Swiss Casino” në Prishtinë para vrasjes së policit Triumf Riza në vitin 2007.

Enver Sekiraqa po akuzohet për shtytje në vrasjen e Rizës.

Gjatë dëshmisë së tij, Gjon Kqira dha versionin e tij për incidentin në “Swiss Casino” dhe çfarë ndodhi pas këtij incidenti.

Dëshmitari fillimisht tregoi se asokohe kishte pasur raporte biznesi dhe shoqërohej me Sekiraqën si dhe kishte lidhje familjare me Arben Selmanajn.

Ky i fundit, shok që nga fëmijëria dhe koleg i Triumf Rizës dëshmoi më 19.03.2024, me ç’rast përmendi edhe incidentin në “Swiss Casino”, ku ishte ftuar ai dhe miku dhe kolegu i tij, Triumf Riza.

Sipas dëshmitarit Kqira, pas rastit në “Swiss Casino”, Arben Selmanaj dhe Triumf Riza kishin kërkuar takim me të me qëllim që të ndërmjetësonte me Sekiraqën.

“Më kanë qitë si ndërmjetësues… Ata kanë thënë se e kemi rrahë Enverin dhe kërkojmë pajtim” – tha dëshmitari Kqira.

Dëshmitari tutje rrëfeu se kur ishte takuar me Sekiraqën për të diskutuar këtë çështje, i njëjti i kishte thënë se Triumf Rizën dhe Arben Selmanajn do i ndjekë penalisht.

“Enveri vetë më ka thënë: Si i fala, si nuk i fala, ai është shtet. Unë du me i ndjek penalisht” – theksoi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet nëse kishte ndenjur më me Sekiraqën pas bisedës së lartcekur.

“Unë e thash edhe më herët se e kam njohur Enverin, por përveç rastit që jemi takuar për këtë bisedë nuk më kujtohet se kam ndejtë me Enver Sekiraqën” – tha dëshmitari

Në seancën e 19.03.2024 Arben Selmanaj, shoku i ngushtë i Triumf Rizës, ka dëshmuar për incidentin në “Swiss Casinos”.

Selmanaj tha se ai dhe Triumf Riza ishin përcjellë dhe zënë në një pikë ngulfatëse.

Lidhur me këtë, avokatja Kosovare Kelmendi e kishte pyetur dëshmitarin Selmanaj gjatë dëshmisë së tij se a ka qenë në njohuri për dëshmitarin Gjon Kqira dhe faktin se kishte shkuar për kërkimfalje te Sekiraqa.

Për këtë Selmanaj ishte përgjigjur se “Ka pasur persona të ndryshëm, familjarë e jofamiljarë që kanë insistu me ardhë te një lloj kontakti ose ku e di unë çka, por ne kemi refuzu që të gjithë dhe e kemi lënë që me këtë punë të merret gjyqësia”.

Kujtojmë që Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës.

Herën e parë (17.05.2016) i njëjti ishte dënuar me 37 vjet dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar (16.09.2019) me 30 vjet dënim me burgim.

Rasti është në rigjykim dhe po trajtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga Agim Kuqi dhe me anëtarët Medije Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Polici Triumf Riza është vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.

Për vrasjen e tij është gjykuar dhe dënuar me burgim Arben Berisha, kurse Enver Sekiraqa akuzohet se ka nxitur vrasjen.