foto Kallxo.com

I pandehuri për vrasjen e Triumf Rizës lirohet nga paraburgimi me dorëzani 100 mijë euro

Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, i pandehur në rastin e vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është liruar nga masa e paraburgimit.

Atij i është caktuar masa e dorëzanisë në shumë prej 100 mijë euro, para të cilat detyrohet t’i dorëzoj në arkën e Gjykatës së Prishtinës.

Sipas aktvendimit që ka siguruar KALLXO.com, Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të datës 13 tetor të këtij viti për vazhdimin e masës së paraburgimit, përderisa ka aprovuar propozimin për dorëzani.

“Aprovohet propozimi i mbrojtësit të të pandehurit, avokat Ramë Dreshaj për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masën e dorëzanisë” – thuhet në aktvendim.

Tutje është thënë se “Lizës” i është ndërprerë masa e paraburgimit para dy ditëve, më 16 tetor 2023, dhe ndaj tij është caktuar masa e dorëzanisë në shumë prej 100 mijë euro.

Gjykata ka paralajmëruar të pandehurin se do ta paraburgosë dhe dorëzanin do t’ia heq, nëse ai, pas thirrjes me rregull, nuk paraqitet dhe mungesën nuk e arsyeton. Po ashtu, nëse ai përgatitet të ikë ose kur gjatë kohës sa është në liri paraqiten arsye të tjera ligjore për paraburgimin e tij.

Diçka e njëjtë mund të ndodhë edhe nëse “Liza” braktis vendbanimin ose vendqëndrimin e tij sipas adresës që ka, pa lejen e gjykatës.

“Liza” dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë që ishte kryer me 30 gusht të vitit 2007 në Prishtinë, ku i vrarë kishte mbetur Triumf Riza që shërbente si polic në Shërbimin Policor të Kosovës.

Në drejtim e Rizës u gjuajtën 11 plumba nga Arben Berisha, ku tre nga ta e goditën duke e plagosur atë për vdekje.

Akuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga vet Sekiraqa, e që ky i fundit Berishën e kishte njeri të besueshëm.

Po ashtu aktakuza pretendon se Arben Berisha privimin nga jeta të Rizës e kishte bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe me Fitim Avdiun.

Ilir Abdullahu kishte qenë në kërkim të policisë për afër 15 vite, në pranga të të cilëve ra më 16 korrik 2023.

I njëjti që atëherë ka qenë në paraburgim, përderisa më 3 tetor 2023 avokati i tij, Ramë Dreshaj paraqiti kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë në shumë prej 50 mijë euro ose më shumë.

“Me parashtresën e datës 11 tetor 2023, mbrojtësi i të pandehurit e ka specifikuar shumën për dorëzani prej 100 mijë euro” – thuhet në aktvendimin që ka siguruar KALLXO.com.

Lidhur me këtë propozim të mbrojtësit të “Lizës”, Gjykata kishte kërkuar mendimin nga Prokuroria Speciale.

Prokurori i rastit, sipas aktvendimit, kishte kërkuar që të refuzohet kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit.

Mirëpo, prapë gjyqtari kishte vendosur për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë.

Dosja e Prokurorisë: Cili ishte roli i Ilir Abdullahut në vrasjen e Triumf Rizës?

Historia e Konflikteve Enver Sekiraqa- Triumf Riza