Tri kandidatet e RTK-së që u refuzuan për pozita menaxheriale përkundër faktit që u vlerësuan me më së shumti pikë në konkurse | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Hulumtimi “Televizioni i Burrave të Kosovës”, reagon Shenoll Muharremi

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, ka reaguar pas hulumtimit “Radio Televizioni i Burrave” mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionit Publik.

Sipas tij, në RTK ka gra që mund të jenë në pozita të larta menaxheriale, por sipas tij, atyre nuk u vjen rendi që të zgjidhen. Muharremi ka thënë se në institucione publike duhet të u krijohet më shumë hapësirë grave.

“Përnime kemi shumë gra të afta dhe shkathëta… edhe ma shumë sesa burrat por s’po ju vjen rendi” – tha Muharremi në Facebook.

“Gjithmonë, në çdo kohë, është moment adekuat me ndryshu gjendjen për të mirë. Pse po diskriminohen gratë?” – deklaroi ai.

Tutje, Shenoll Muharremi ka zbuluar edhe disa statistika për punësimin e grave.

“Afër 500,000 gra i kemi në Kosovë që janë jashtë ekonomisë dhe tregut të punës. Dmth nuk janë fare në sistem, i kemi nëpër shtëpia. Kjo kulturë mesjetare duhet me ndryshu” – ka vlerësuar Muharremi.

“Çka po ndodhë në praktikë? Kryesisht burrat po punësohen dhe ata po krijojnë eksperiencë profesionale më të gjatë dhe thellë sesa gratë. Çka dmth kjo? Kjo dmth që edhe në konkurse pastaj dalin më të mirë dhe i fitojnë pozitat edhe me letra. Thellohet diskriminimi i grave edhe më shumë” ka thënë Muharremi.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimin mbi tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita. Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës.

Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK rrëfejnë procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Radio Televizioni i Burrave