Hoteli për Policinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë në Vlorë. Screenshot: Taulant Balla/Facebook

Hoteli i konfiskuar në Vlorë për trajnime e pushime për policët e Kosovës e të Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bashkë me homologun e tij në Shqipëri, Taulant Balla kanë vizituar një hotel në Vlorë.

Ky hotel, që është pasuri e konfiskuar në luftën kundër krimit, pritet që të bëhet vendi i pushimeve e i trajnimeve për policët e Kosovës e ata të Shqipërisë.

“Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me ministrin e Brendshëm të Kosovës ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë”- shkroi Balla në Facebook.

Nga një video që ai publikoi, shihet vizita që Sveçla ia bëri hotelit në Vlorë. Aty dy ministrat e dy vendeve bisedojnë me njëri-tjetrin për planin që ata kanë.

“Ky është hoteli, ka hapësirë edhe për mjedise të tjera sportive, fusha. Ja ku e ka edhe detin atje. Diku këtu mund të bëhet një ashensor kështu paranamik, krijohet një parking tek ajo pjesa tek recepsioniti” – dëgjohet duke thënë i pari i Punëve të Brendshme në Shqipëri.

“Bashkë me Ministrinë e Brendshme të Kosovës do investojmë që ta kthejmë në një hotel të pushimeve të punonjësve të Policisë së Kosovës dhe të Shqipërisë. Le të jetë ky një model i punëve që duhet të bëjmë së bashku” – vazhdon tutje ai.

Sveçla thotë më pas se hoteli do të shfrytëzohet që të shijohet edhe pushimi, e jo vetëm aksionet e përbashkëta të dy policive.

“Me shiju një qik pushim, jo vetëm aksione të përbashkëta” – tha ministri Sveçla.

Balla më pas shton se përpos pushimeve, në hapësirën e hotelit do të bëhen edhe trajnime e kurse të ndryshme.

“Do të bëjmë edhe trajnime e kurse, kryesisht gjatë dimrit do të vijnë punonjësit e Policisë së Kosovës” – tha Balla.

Hoteli në fjalë ka një hapësirë ndërtimi prej 3 mijë e 89 metra katrorë, e gjëja e parë që pritet të bëhet aty është vizita e një arkitekti për të parë nëse duhet të bëhet ndonjë modifikim për ta përshtatur për nevojat e dy policive.