Halitjaha në Hagë: Ushtarët që shkelnin rregullat e UÇK-së, masa e vetme disiplinore ka qenë përjashtimi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Sadik Halitjaha po vazhdon dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari Halitjaha po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues, përmes gjyqtarit Guenal Mettraux.

Në përgjigjet e tij, Halitjaha ka pranuar se ka kërkuar krijimin e gjykatave për trajtimin e masave disiplinuese për ushtarët, por se një gjë e tillë nuk ishte realizuar.

Gjithashtu, dëshmitari Halitjaha ka bërë të ditur se për ushtarët që shkelnin rregullat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, masa e vetme disiplinore ka qenë përjashtimi. Sipas tij, kjo përfshinte demobilizimin e tyre, heqjen e armëve dhe uniformave, dhe përjashtimin nga radhët e UÇK-së.

“Do ta demobilizonim, do të ia hiqnim armën, uniformën dhe do ta përjashtonim nga UÇK-ja. Nuk kemi pasur tjetër masë” – theksoi dëshmitari Halitjaha.

Dëshmitari po vazhdon të përgjigjet në rimarrje, në pyetjet e mbrojtjes së Veselit dhe Thaçit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barth, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.