Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarja Mitchell: UÇK-ja nuk e mohonte që kishte objekte ndalimi

Ish-zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Sandra Mitchell, gjatë dëshmisë së saj në Gjykatën Speciale, ku për krime të pretenduara të luftës e krime kundër njerëzimit po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit, ka rrëfyer detaje nga një takim me Ramush Haradinajn gjatë misionit të saj në Kosovë.

Mitchell tha se është takuar me Ramush Haradinajn në zonën e Prizrenit.

“Më kujtohet që Ramush Haradinajn e kam parë në zonën e Prizrenit” – tha Mitchell.

Sipas Mitchell, UÇK-ja nuk e mohonte faktin se kishin objekte ndalimi, ku i mbanin personat e arrestuar që i cilësonin si kriminelë dhe kolaboracionistë.

“UÇK-ja nuk e mohonte faktin që kishte objekte ndalimi. E pranonin që kishin ambiente ndalimi për kriminelët dhe për kolaboracionistët” – tha dëshmitarja.

Dëshmitarja tutje deklaroi që çështjen e personave të zhdukur e kishte trajtuar me Haradinajn dhe se edhe komandant “Drini” ishte i njohur për të, gjatë misionit të saj në Kosovë.

“Këtë emër e njoh, besoj që komandant Drini ishte njëri prej komandantëve të zonës. Më duket se kanë qenë 7 ose 8 komandantë zone në atë kohë me të cilët komunikonte MVK-ja dhe që ishin të ndarë gjeografikisht’’ – tha dëshmitarja Mitchell.

Tutje, dëshmitarja Mitchell tha se edhe pse kishte kërkuar vëzhgimin e gjykimeve nga autoritetet e UÇK-së, nuk i është lejuar dhe se e njëjta nuk kishte qenë në dijeni për ndonjë gjykim konkret.

“Unë nuk kam pasur në dijeni që të ketë pasur ndonjë gjykim konkret” – tha dëshmitarja Mitchell.

E njëjta theksoi që edhe shefi i Policisë Ushtarake gjatë takimit të tyre në Llapashticë i kishte thënë se po mbaheshin gjykime.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barth, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.